Lista Serbe ende nuk e ka të qartë qëndrimin e tyre sa i takon votimit pro apo kundër marrëveshjes së demarkacionit mes Kosovës dhe Malit të Zi. Shefi i Grupit Parlamentar, Igor Simiq, ka thënë se ende nuk kanë një pozicionim të qartë për këtë çështje.
“Kur kjo çështje të vjen brenda partisë tonë ne do ta diskutojmë dhe do ta tregojmë pozicionin tonë. Tani, nuk kemi ndonjë pozicionim për këtë çështje. Kështu që nuk po mundem të them diçka më shumë”, u shpreh ai për indeksonline.
Ndërsa për pyetjen se a do të marrim pjesë në seancën e së dielës, Simiq thotë se do të shohin. “Ne do t’ju njoftojmë për pjesëmarrjen dhe hapin tjetër që do ta marrim”, ka thënë ai.
Partitë e koalicionit (PDK,AAK dhe NISMA) kanë dhënë sinjale pozitive për votimit e kësaj çështje, derisa njëjtë ka paralajmëruar se do të veprojë edhe partia opozitare, LDK. Ndërsa, kundër kësaj marrëveshje është shprehur Lëvizja Vetëvendosje.
Seanca e jashtëzakonshme për demarkacionin do të mbahet të dielën në ora 18:00, pasi Kryesia e Kuvendit mori vendim pak orë më parë.
Ndryshe, për ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit nevojiten 81 vota nga 120 deputetë që ka Kuvendi i Kosovës.