Deliu-Kodra kërkon monitorim të pavarur të Speciales: Shqetësimet për të drejtat e krerëve të UÇK-së të trajtohen seriozisht

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu-Kodra, ka kërkuar nga institucionet e Kosovës që të mbështesin krijimin e një mekanizmi profesional dhe të pavarur për monitorimin e procedurave pranë Dhomave të Specializuara në Hagë.
Në seancën e Kuvendit, ajo iu referua raportit të Avokatit të Popullit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, duke thënë se shqetësimet e ngritura lidhur me të drejtat e ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kërkojnë trajtim serioz dhe veprim institucional.
“Kur institucioni kushtetues për mbrojtjen e të drejtave të njeriut ngre shqetësime të kësaj peshe, Kuvendi ka detyrim t’i shqyrtojë ato dhe të kërkojë veprim nga institucionet përgjegjëse”, deklaroi Deliu-Kodra.
Sipas saj, raporti ngre pikëpyetje për transparencën, llogaridhënien, barazinë e palëve dhe garancitë për një gjykim të drejtë e të paanshëm. Ajo e cilësoi veçanërisht shqetësues vlerësimin se mandati i Dhomave të Specializuara ka devijuar nga qëllimi fillestar.
Deliu-Kodra ngriti gjithashtu çështjen e mungesës së mbikëqyrjes demokratike, duke theksuar se institucionet e Kosovës nuk kanë pasur mundësi reale të mbikëqyrin funksionimin e Dhomave të Specializuara dhe të kërkojnë llogaridhënie.
Ajo përmendi edhe shqetësimet lidhur me respektimin e jetës private dhe familjare gjatë vizitave në paraburgim, kohën në dispozicion të mbrojtjes dhe barazinë e palëve në procedura.
Deputetja kërkoi që të qartësohet nëse mbrojtjes i është ofruar qasje e plotë në informacionet për origjinën dhe besueshmërinë e materialeve të përdorura, veçanërisht të atyre që kanë ardhur nga Serbia.

Lexo edheHoti: Përparim Rama, Kujtim Shala ose Hykmete Bajrami do t’i bënin nder LDK’së nëse bëhen kryetar
“Për PDK-në, drejtësia për krerët e UÇK-së mbetet një përgjegjësi e përhershme. Kjo përgjegjësi kërkon punë të organizuar, argumente profesionale dhe angazhim shtetëror të vazhdueshëm”, tha ajo.
Ajo theksoi se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi kanë të drejtë që t’u garantohen plotësisht të drejtat procedurale, ndërsa familjet e tyre presin që institucionet e Kosovës ta përmbushin detyrën me seriozitet dhe vendosmëri.
Në emër të PDK-së, Deliu-Kodra kërkoi që shqetësimet e dokumentuara t’u adresohen zyrtarisht Këshillit të Evropës, Bashkimit Evropian dhe partnerëve ndërkombëtarë, me kërkesë për vlerësim të pavarur dhe respektim të standardeve të të drejtave të njeriut.
“Parimi i parë dhe themelor i ndërtimit të demokracisë në një vend është llogaridhënia”, u shpreh ajo, duke shtuar se edhe Dhomat e Specializuara duhet t’i respektojnë parimet demokratike dhe kushtetuese të Republikës së Kosovës.












