Kurti ndan pamje nga Samiti i Berlinit, njofton për ‘‘një bisedë’’ me Merz

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka ndarë pamje nga Samiti i Berlinit, ku ka zhvilluar një bisedë edhe me kancelarin gjerman, Friedrich Merz.
Kurti ka shkruar se, me lansimin e kësaj nisme më 2014, Gjermania krijoi një hapësirë ku gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor punojnë e trajtohen të barabarta.
Postimi i plotë:
Sot, në Samitin XIII të Procesit të Berlinit, që rastis pas vendimit të Bundestagut që ushtarët gjermanë të qëndrojnë në Kosovë në kuadër të KFOR-it, pata një bisedë me Kancelarin Friedrich Merz, nga i cili pranova urime për mandatin e ri.
Me lansimin e kësaj nisme më 2014, Gjermania krijoi një hapësirë ku gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor punojnë e trajtohen të barabarta.

Lexo edheHaxhiu e quan joserioze kërkesën e PDK-së për kthimin e Ligjit për Specialen në Kuvend
Në këtë proces kemi nënshkruar marrëveshje për udhëtimin me letërnjoftim e për njohjen e diplomave, dhe i kemi zbatuar të gjitha. Të gjithë duhet të bëjnë të njëjtën gjë, sepse askush nuk mund ta mbajë peng rajonin.
Investimet direkte nga Gjermania në Kosovë janë rreth 1,5 miliardë euro, 62% e tyre vetëm në pesë vitet e fundit. Potenciali në industri, energji, transport, TIK dhe arsim profesional mbetet i madh, dhe javën e ardhshme Prishtina mirëpret Forumin e tretë Ekonomik Gjermano-Kosovar.
Gjermania është pjesë e të ardhmes sonë evropiane. Faleminderit, Kancelar Merz!












