Daut Haradinaj: Kapitulli UÇK është mbyllur, në Kuvend tash po fliten pallavra

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, ka dhënë një intervistë ekskluzive në emisionin “Pressing”, me Leonard Kerqukin, në televizionin T7.
Daut Haradinaj është pyetur se a duhet hapur apo jo temat e luftës në Kosovë.
“UÇK e ka përmbyllur mandatin më 13 qershor. Më 29 shtator, është transformuar në TMK. Kapitulli UÇK, në ditën që është nënshkruar marrëveshja e çmilitarizimit dhe transformimit, është mbyllur”, ka thënë ai.
“Nuk mundet më kurrkush të thirret në ato vlera. Ato vlera i takojnë së kaluarës. Sot duhet të përgjigjet secili për ditën e sotme”, është shprehur Daut Haradinaj.
“Në rast se ka diçka që duhet ta dijë opinioni publik, ose është vepër penale, ose është bërë një krim i caktuar, janë vendet ku duhet të shkohet”, ka deklaruar ai në T7.

Lexo edheMPB e Serbisë: Artistët kosovarë deshën nën maskën e artit të promovojnë UÇK-në në Beograd
“Duhet të shkohet dhe të bëhet denoncim në organet kompetente. Kemi mekanizma të drejtësisë sa të duash”, ka theksuar Daut Haradinaj.
“S’ka mekanizëm ndërkombëtar i drejtësisë që s’e ka trajtuar Kosovën me theks të veçantë. Njëherë Haga, njëherë UNMIK-u, njëherë EULEX-i, tash Specialja…”, ka thënë ai në “Pressing”.
“S’di çka ju duhet tjetër gjë veç tash të vijnë në foltore të Kuvendit, të bëjnë këso pallavrash”, është shprehur Daut Haradinaj.
“Nuk i respektoj. Dorën në zemër, këto më duken mua abuzive. Edhe për opinionin publik, edhe për nivelin parlamentar”, ka deklaruar ai. /Express/














