Cilat janë vitaminat më të rëndësishme për lëkurë të shëndetshme?

Janë tetë faktorë, të cilët po t’i ndjekim me kujdes, problemet me lëkurën mund t’i evitojmë pas trajtimeve të duhura
Shkruan: Dr. spc. Dafina Krasniqi
Viteve të fundit, gëzon fakti që edhe tek në në Kosovë, është shtuar interesimi për kujdesin ndaj lëkurës, por që janë tetë faktorë kryesorë, me të cilët patjetër duhet të njihemi, në mënyrë që lëkura të jetë e shëndetshme.
Problemet me lëkurën janë shumë të zakonshme, por shtrohet pyetja; a mund të ndikojë ushqyerja në shëndetin e lëkurës? Sigurisht që ndikon, pasi ushqyerja luan rol të rëndësishëm në shëndetin tonë, përfshirë këtu edhe lëkurën. Përveç trajtimeve specifike për lëkurën e thatë, pastaj aknet, apo problemet tjera dermatologjike, marrja e vitaminave të nevojshme përmes dietës, ndihmon në ruajtjen e lëkurës së shëndetshme.
Pyetja tjetër me të cilën ne dermatologët përballemi vazhdimisht ka të bëj me vitaminat, të cilat janë të rëndësishme për mirëmbajtjen e lëkurës. Pesë vitaminat kryesore që kontribuojnë në shëndetin e lëkurës janë vitamina A, vitamina B2, vitamina B3, vitamina C dhe vitamina E. Vlenë të theksojmë se vitamina A ndihmon në mirëmbajtjen e lëkurës së shëndetshme, derisa për mirëmbajtjen e saj produktet kryesore ushqimore janë djathi, vezët, qumështi dhe kosi, derisa sasia e rekomanduar ditore është rreth 0.7 mg. Kjo vitaminë ndihmon në heqjen e qelizave të vdekura, si dhe nxitë rritjen e qelizave të reja, me ç‘rast fytyrës i jep shkëlqim, pastaj i reziston mplakjes, përmirëson elasticitetin, si dhe i redukton shenjat e plakjes dhe rrudhat. Vitamina A vepron si antioksidant dhe ndihmon në mirëmbajtjen e lëkurës të hidratuar dhe të pastërt.

Lexo edheRreziku për diabet rritet në tre muajt e parë pas përdorimit të antipsikotikëve
Pyetja tjetër është se si ndikon vitamina B2 në organizëm? Kjo vitaminë ndihmon në mbrojtjen e lëkurës, në shëndetin e syve dhe në funksionimin normal të sistemit nervor. Vitamina B gjendet në produktet e qumështit, pastaj në vezë, oriz dhe drithëra. Meshkujt rekomandohet të marrin 1.3 mg. në ditë, ndërsa femrat 1.1 mg. Kjo vitaminë ndihmon edhe në rigjenerimin e qelizave, si dhe i parandalon acarimet dhe inflamacionin e lëkurës. Por, çfarë duhet të dimë për vitaminën B3? Kjo vitaminë kontribuon në shëndetin e lëkurës dhe në sistemit nervor. Ajo gjendet në produktet e mishit, peshkut, miellit të grurit, në vezë dhe në qumësht. Nevoja ditore për ta përdorur është 16.5 mg. për meshkujt dhe 13.2 mg. për femrat. Kjo vitaminë i zvogëlon rrudhat e holla dhe i trajton problemet si rozacea dhe eczema, e cila mund të zbehet me Niacinamid, si dhe me njollat e errëta me hiperpigmentimin.
Si faktorë i gjashtë me radhë është vitamina C. Kjo vitaminë ndihmon në mbrojtjen e qelizave, pastaj enëve të gjakut dhe të kockave. Burimet më të mira që vijnë nga kjo vitaminë janë; portokalli, specat e kuq e të gjelbër, luleshtrydhet, brokoli, lakra dhe patatet. Sasia e rekomanduar ditore është 40 mg. për të rriturit, pavarësisht gjinisë. Roli i kësaj vitamine është shumë i çmuar në prodhimin e kolagjenit, i cili ndihmon në mbrojtjen e lëkurës nga dëmet e shkaktuara prej diellit.
Edhe vitamin E sjell përfitime të rëndësishme në mirëmbajtjen dhe shëndetin e lëkurës. Kjo vitaminë ndihmon në ruajtjen e shëndetit të lëkurës dhe forcon sistemin imunitar. Ajo gjendet në vajërat bimore; si vaji i sojës, pastaj vaji i ullirit, si dhe në arra, fara dhe grurë. Meshkujt rekomandohet të marrin 4 mg. në ditë, ndërsa femrat 3 mg. Vitamina E shërben edhe si mbrojtëse e membranës së qelizave. Ajo ruan hyrje-daljet e çdo gjëje në lëkurë. Kur kjo vitaminë kombinohet me vitaminën C, atëherë ajo e mbron lëkurën kundër dëmeve të shkaktuara nga rrezet ultra-vjollcë.
Krejt në fund shtrohet pyetja; cili është rekomandimi përfundimtar për pacientët? Përgjithësisht, shumica e vitaminave të nevojshme mund të merren përmes një diete të shëndetshme, të larmishme dhe të ekuilibruar. Kujdesi ndaj ushqyerjes është hap i rëndësishëm për ruajtjen e shëndetit të lëkurës. Misioni i ushqimit nuk është vetëm që ta përmbush shijen, por edhe të na jap energji. Ushqimi ka tjetër qëllim po aq të rëndësishëm, sepose është pikërisht ushqimi si pjesë e pandashme e regjimit të kujdesit ndaj lëkurës.














