SPAK njoftoi këtë të diel se kishte goditur një rrjet të transferimit dhe futjes së parave të pista nga Zvicra në vendin tonë. 3 persona kanë rënë në pranga, në Shqipëri dhe një në Zvicër. Sipas SPAK ata përdornin skemën “Hawala” për transferimin e parave.
Ai është një sistem ilegal i transferimit të parave, që në ditët e sotme zakonisht përdoret nga persona të inkriminuar për të mos lënë gjurmën në dërgesat e shumave financiare me origjinë të dyshimtë.
Por çfarë është ky sistem?
Hawala është një metodë informale e transferimit të parave. Ky sistem konsiderohet si një “transferim parash pa lëvizje parash” dhe në thelb funksionon mbi bazën e besimit të ndërsjellë mes palëve të përfshira.
Ky mekanizëm, i cili ka origjinën në Azinë Jugore, përdoret edhe sot në mbarë botën, sidomos në komunitetet islame, si një alternativë ndaj sistemit tradicional bankar.
Në vend të transfertave bankare ndërkombëtare, paratë dërgohen përmes një rrjeti të veçantë të quajtur “hawaladars” apo tregtarë të “hawala”-s.
“Dërguesit e parave, dorëzonin paratë që kishin origjinë kriminale tek bashkëpunëtorët e grupit kriminal me banim në Zvicër, duke i informuar ata për emrin e personit që ishte pritësi i shumave të parave në Tiranë.
Bashkëpunëtorët e grupit kriminal me banim në Zvicër menjëherë sapo kryhej depozitimi i parave njoftonin bashkëpunëtorët e tyre në Tiranë… për shumën e depozituar të parave dhe emrin e personit i cili ishte pritësi i parave në Tiranë.
Më pas në Tiranë, personat dorëzonin sasinë e njëjtë të parave që ishte depozituar te bashkëpunëtorët e tyre në Zvicër, tek personat që ishin pritësit e shumave në Tiranë” – thuhej në njoftimin e SPAK.
Këta tregtarë nuk përdorin dokumentacion formal, gjithçka bazohet në një sistem të paligjshëm, por i mirëorganizuar i regjistrimit të transaksioneve, ku çdo kredi apo debit shënohet në mënyrë të përmbledhur dhe diskrete. Borxhet mund të shlyhen përmes parave, pronave apo edhe shërbimeve.
Ata që nuk respektojnë marrëveshjet e nënkuptuara konsiderohen si të pabesë dhe përjashtohen nga rrjeti, një dënim që vlen më shumë se çdo ndëshkim ligjor për ta.
Për shumë emigrantë që dërgojnë para në vendet e tyre të origjinës, hawala është shpesh alternativa më praktike. Në vende ku sistemi bankar është i kushtueshëm ose i paarritshëm, hawala ndihmon në qarkullimin e fondeve me shpejtësi, kosto të ulët dhe pa burokraci. Madje, në disa raste, tregtarët nuk aplikojnë tarifa për emigrantët, për t’i nxitur të përdorin këtë kanal joformal.
Ky sistem është veçanërisht i rëndësishëm për njerëzit që nuk kanë dokumente identifikimi apo akses në një llogari bankare. Për ta, është e vetmja mënyrë për të dërguar para jashtë vendit. /LAPSI.al