- Policia e Tiranës ka dhënë detajet e para lidhur me çiftin që ka hipur në një vinç rreth 30 metra të lartë në rrugën e “Kosovarëve”.
Bëhet fjalë për Fatmir dhe Teuta Saraçi, burrë e grua, të cilët kanë hipur në vinç dhe kërcënojnë se do të hidhen.
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë, Zjarrëfikses dhe Ambulanca.
Mësohet se ata kanë kërcënuar edhe një herë në të njëjtën mënyrë para disa kohësh dhe shkak është bërë shtëpia e tyre.
Në një lidhje telefonike për Report Tv nga vinçi te diga e liqenit, Teuta Saraçi u shpreh se kunata i ka nxjerrë nga banesa, ndërsa policia sipas tyre ka qëndruar indiferente pas kërkesës së tyre.
“Problemi im është se është e dyta herë që kam hipur në vinç, mua më është plotësuar vetëm njëra kërkesë. Teuta Saraçi, ish e persekutuar, më persekuton kunata ime Alba Saraçi dhe më ka nxjerrë nga shtëpia. Ajo ka bërë një urdhër mbrojtje për burrin tim.
Por unë nuk kam mundësi që ta mbaj atë me bukë. Unë kam njoftuar të plotfuqishmin e zonës në Kombinat por ai se ka vënë ujin në zjarr. Por vetëm ka mbajtur krahun e Alba Saraçit, e cila më dhunon fëmijët prej 4 vitesh, të gjitha këto janë të regjistruara, policia hesht dhe mban krahun e Albës dhe të babait të saj.
Para 4 ditësh kemi debatuar se unë plaçkat e shtëpisë i kam blerë me kredi bankare dhe ajo donte të më hidhte plaçkat jashtë shtëpisë dhe ajo shkoi në polici dhe i dhanë urdhër mbrojtje. Nuk kam besim tek asnjëri sepse asnjë nuk e ndihmoi familjen time. Asnjë nuk ka bërë asgjë, bashkia s’ka bërë asgjë, s’ka ardhur asnjëherë, kemi 1 vit pa drita, sepse ajo Alba kishte një konsum të lartë dhe iku për në Itali dhe i la pa paguar.
Ju mund të merrni në dëshmi edhe fëmijët nëse në gënjejmë, janë të vërtëta. Ata na duan neve të vdekur, ato kërkojnë lekë me dhunë. Shteti jo vetëm që nuk më ndihmon por më torturon akoma. Shteti i jep të drejtë një mostre, një krimineli që torturon 2 fëmijë të vegjël. Lindita Nikolla duhet të bëhet mbretëreshë e këtij vendi, sepse ishte e vetmja që më ka ndihmuar”, -është shprehur ajo.
Në vendin e ngjarjes ndodhet policia, e cila po negocion për të bindur çiftin që të zbresë nga vinçi.