Në kryeqytet ka çdo pesë minuta autobusë por nëpër fshatra të Komunës së Prishtinës nxënësit po e braktisin shkollimin e mesëm në mungesë të një linje për qytet.
Kanë gati një vit që kur e përfunduan klasën e nëntë. Por, Albina dhe Endrit Bekteshi, nuk kanë mundur ta vazhdojnë shkollimin e mesëm, në mungesë të transportit nga Gllogovica në Prishtinë, bën të ditur emisioni “038” i KTV-së.
Dy të rinjtë, 15 e 16 vjeç, që jetojnë 35 kilometra larg kryeqytetit, kanë një lutje për komunarët – sigurimin e transportit për vazhdimin e shkollës.
Pos Gllogovicës, edhe fshatrat tjera si Dabishec e Hajkobillë, përballen me mungesën e një linje të rregullt të transportit.
Komuna e Prishtinës ka siguruar transport nxënësit të shkollës fillore “Dëshmorët e prillit 1999”, të ndarë në tri paralele në këto fshatra.
Por, jo edhe për ata që e përfundojnë klasën e nëntë, edhe pse ka pasur kërkesa për sigurimin e këtij shërbimi.
Kjo mungesë mund të bëjë që edhe afro 10 nxënës, që pritet të përfundojnë klasën e nëntë këtë vit, të kenë fatin e njëjtë fëmijët e familjes Bekteshi, të cilët nuk janë të vetmit që kanë ndalur shkollimin e mesëm në mungesë të transportit.
Në Komunën e Prishtinës, thonë se nuk kanë pranuar asnjë kërkesë për transport për nxënësit e shkollave të mesme të këtyre fshatrave, por shtojnë se porsa të pranojnë ndonjë të tillë, do ta shqyrtojnë.
Por, banorët e kësaj ane, thonë se kanë bërë disa kërkesa për linjë të rregullt autobusi dhe transport të veçantë për nxënësit, mirëpo deri tash kanë marrë vetëm premtime.