Ishte viti 2011 kur Agim Çeku kishte nisur një mision special. Dëshironte të takonte zyrtarë të lartë të administratës amerikane.
Një kompani lobimi, Prime Policy Group, ishte angazhuar për ta ndihmuar Çekun në përmbushjen e këtij misioni.Në raportin që ia ka dorëzuar Departamentit Amerikan të Drejtësisë, kompania ka treguar detajet e kësaj nisme të Çekut.
Ka treguar se ka dërguar e-maile tek disa njerëz me ndikim për të aranzhuar takime të nivelit të lartë për interes të kryetarit të Partisë Social Demokrate, Gjeneralit Agim Çeku. Në fund ka shënuar se nuk ka arritur që t’ia realizonte këtë dëshirë gjeneralit kosovar.
Në kohën kur është bërë ky lobim, gjashtëmujori i parë i vitit 2011, politika ishte e fokusuar në krijimin e koalicionit qeverisës, pas përfundimit së zgjedhjeve parlamentare të vitit 2010.
Më pas kishte arritur të futej edhe në koalicionin qeverisës, të udhëhequr nga PDK-ja e Hashim Thaçit. Çeku kishte marrë postin e ministrit për Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Agim Çeku, tash deputet i PDK-së, i kontaktuar nga Insajderi, ka mohuar të ketë angazhuar ndonjëherë kompani lobuese për ta ndihmuar që të takohej me zyrtarë të qeverisë amerikane.
Detajet e raportit të kompanisë amerikane
Kur kompania amerikane, Prime Policy Group, raportoi në Departamentin Amerikan të Drejtësisë për aktivitetet e saj gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2011, përmendi edhe emrin e Agim Çekut, tash deputet i PDK-së. Atëkohë ishte kryetar i Partisë Social Demokrate të Kosovës.
Kompania raportoi se kishte marrë për obligim që të ndihmonte Çekun në realizimin e një vizite në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Detyrë e kompanisë ishte që të asistonte Çekun duke i caktuar termine të takimeve me zyrtarë të lartë të administratës amerikane.
“Por, vizita nuk u realizua”, shënohet në raportin e kësaj kompanie. Në këtë raport, kompania amerikane nuk deklaroi se për çfarë shume parash është pajtuar që të paguajë klienti Çeku, në rast të realizimit të vizitës. Raporti i kompanisë nuk jep detaje as për arsyen e dështimit të vizitës së Çekut në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Megjithatë, në raportet e dorëzuara në Departamentin Amerikan të Shtetit, kompania tregoi për përpjekjet që ka bërë për të realizuar kërkesën e klientit të saj.
Kompania ka shënuar se më 12 janar të vitit 2011 ka dërguar dy e-maile tek Ariel Cohen, drejtues i “Heritage Foundation”.
Lexo edheDështon Projektligji për Arsimin e Lartë, përplasen pozita e opozita















