Kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së në Shqipëri, Taulant Balla, i ka reaguar Partisë Demokratike atje, në lidhje me “kundërshtimin” që kjo parti i ka bërë ndryshimeve në ligjin “Për Shtetësinë”.
Komisioni parlamentar për Evropën dhe Punët e Jashtme i Kuvendit të Shqipërisë ka miratuar disa shtesa dhe ndryshime në këtë ligj.
Nismëtari i këtij drafti, Taulant Balla, në fjalën e tij tha se ndryshimet synohen në nenin 9, i cili riformulohet si “Natyralizimi për interes shtetëror”, duke saktësuar se shtetësia mund të jepet edhe jashtë kushteve standarde, kur vlerësohet se individi ka një rol të veçantë dhe krijon lidhje të qëndrueshme me Shqipërinë.
Zv.kryetari i Komisionit të Sigurisë, Klevis Balliu nga PD, është përplasur me Ballën, gjatë diskutimeve për projektligjin e ri për shtetësinë.
Në fjalën e tij, Balliu deklaroi se kjo nismë është në thelb e njëjtë me skemën e “pasaportave të arta” të ndaluar nga Bashkimi Evropian, duke theksuar se ndryshon vetëm forma, por jo përmbajtja.
E vetë Balla, përmes një postimi në Facebook, i ka reaguar Partisë Demokratike, duke thënë: “Nuk gjej dot asnjë argument pse zogjtë e bufit janë kundër lehtësimit të procedurave për dhënien e shtetësisë”.
“Tani, po të jetë për mua personalisht, për të drejtën që më jep Kushtetuta për të propozuar një ligj, unë do vija dhe do të propozoja një nen që do thoshte: ‘çdo shqiptari në Kosovë, në Preshevë, në Maqedoni të Veriut, në Mal të Zi, e kudo që ndodhet, t’i jepet pasaporta shqiptare’. Nuk na e lejojnë dot këtë këto konventat evropiane”, deklaroi Balla në komision.
Ndryshimi i propozuar lidhet me atë që quhet “Natyralizim për interes shtetëror”, ku parashikohet se “i huaji fiton shtetësinë shqiptare jashtë kushteve të përcaktuara nga neni 8, nëse shteti shqiptar ka interes të posaçëm shtetëror për krijimin e një lidhjeje të qëndrueshme me personin e huaj, për shkak të cilësive, aftësive dhe rrethanave specifike të dobishme të individit ose veprimtarisë së tij private ose publike”.
“Ndryshimet lehtësojnë, qartësojnë disa problematika gjatë aplikimit të ligjit për shtetësinë. Të marrin pasaportën shqiptare, do të kenë mundësinë të luajnë për kombëtaren e Shqipërisë. Nëse nuk do të bënim ndryshimet në ligj, Mirlind Daku nuk do të mund të luante dot për Kombëtaren e Shqipërisë, është një rast që e kam ndjekur personalisht. Sot jemi në kushtet që Mirlind Daku nuk i takon dot prindërit e tij, sepse ai shteti ku luan (Rusi), nuk ia pranon pasaportën e Kosovës dhe i duhet prindi i fëmijut të ketë pasaportën e Shqipërisë. Opozita, përmes Tritan Shehut, i kundërshtoi propozimet me argumentin se minimizohet roli i presidentit dhe fuqizohet roli i ministrit”, tha ndër të tjera Balla.
“Bufi i kënetës” është figura e shpendit që kryeministri shqiptar, Edi Rama, i drejtohet kundërshtarit të tij politik, Sali Berisha.