Një ndeshje që pritej të ishte një përballje sportive mes KH Llapit dhe KH Besës u shndërrua në një incident të pakëndshëm mbrëmjen e sotme, pasi në minutën e 40-të shpërtheu një përleshje fizike mes lojtarëve në parket.
Tensionet kishin qenë të pranishme gjatë gjithë takimit, por situata eskaloi papritur, duke çuar në konfrontim të drejtpërdrejtë mes disa hendbollistëve të të dyja skuadrave, shkruan IndeksOnline.
Përleshja detyroi gjyqtarët të ndërpresin menjëherë ndeshjen, ndërsa në palestër u krijua një atmosferë e tensionuar.
Ndërprerja zgjati për dhjetëra minuta, derisa në vendin e ngjarjes arritën forcat e policisë për të qetësuar situatën dhe për të garantuar sigurinë e të pranishmëve. Pas ndërhyrjes së tyre dhe konsultimeve mes zyrtarëve të ndeshjes, u vendos që loja të vazhdojë.
Takimi rifilloi dhe u zhvillua edhe për rreth 20 minuta të tjera, por pa incidente të tjera të mëdha. Në fund, ndeshja përfundoi me rezultat të barabartë, duke lënë një shije të hidhur për të dy ekipet dhe tifozët./IndeksOnline/