Nënkryetarja e LDK-së, Hykmete Bajrami, gjatë një konference për media të shtunën, bashkë me anëtarën e kryesisë, Janina Ymeri, ka kundërshtuar shkyçjeje e mbi 1 mijë e 300 bizneseve që ende nuk kanë lidhur marrëveshje me furnizues të licencuar të energjisë elektrike.
Bajrami tha se politika energjetike e Qeverisë së kryeministrit në largim, Albin Kurti ka formë shkatërruese, duke përmendur ndikimin e institucioneve të kapura nga të dëgjueshmit e qeverisë në ZRRE, KOSTT dhe të tjera.
“Sot përfundimisht po merr formë politika shkatërruese e Albin Kurtit. Ai ka bërë 4 vite e gjysmë në krye të institucioneve dhe ka kapë secilin institucion”, tha ajo.
Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së tha se qytetarët kanë paguar deri 800 euro për transportin e një MWh dhe vazhdojnë të paguajnë për kompaninë EFT të Vuk Hamoviqit, si dhe qindra miliona euro për kompaninë NOA.
Ajo e quajti shkyçjen e dhunshme të kompanive nga rrjeti persekutim dhe bëri thirrje që Prokuroria Speciale të veprojë kundër institucioneve që po zbatojnë këtë politikë.
Bajrami nënvizoi se qytetarët po paguajnë mafinë energjetike dhe se, përveç EFT-së dhe NOA-s, tani do të paguajnë edhe kompaninë e vëllait të shefit të kabinetit të kryeministrit, Luan Dalipi, i cili ka marrë licencë së fundmi dhe ofron energji me çmim 238 euro/MWh.
Deputetja e LDK-së theksoi se premtimi i Albin Kurtit për çmime më të ulëta energjie nuk është realizuar dhe se faturat për bizneset po trefishohen, duke rrezikuar mbylljen e disa bizneseve dhe largimin e punëtorëve në vendet fqinje.
“1300 biznese për Albin Kurtin dhe Artane Rizvanollin janë vetëm 1% e kompanive, por për Kosovën janë punëdhënësit e 143 mijë punëtorëve. Janë siguria ekonomike për 143 mijë familjet në Kosovë”, ka shtuar ajo.
Bajrami akuzoi drejtpërdrejt ZRRE-në, KOSTT-in, KEK-un, KEDS-in dhe KESCO-n për keqpërdorim dhe shkelje të rregulloreve, duke favorizuar tri kompani në treg.
Bajrami kërkoi veprim të menjëhershëm nga Prokuroria Speciale për të parandaluar dhe ndëshkuar këtë politikë, që sipas saj po shkatërron ekonominë dhe po favorizon korrupsionin galopant.
Sipas saj, kjo politikë disa biznese do t’i mbyllë në tërësi, disa do të largohen në vendet fqinje, disa të tjera për shkak të rritjes së kostove gradualisht do të dalin nga tregu sepse nuk janë më konkurrente.
Ajo tha se Albin Kurti është kryepërgjegjësi ndërsa përgjegjësi kanë edhe Artane Rizvanolli, KEDS, KESCO, ZRrRe.
“KOSTT si operator i tregut dhe transmisionit ka lejuar dominim të tregut nga EFT-ja dhe NOA. KOSTT ka lejuar KEK-un, KEDS-in dhe KESCO-n me ble energji direkt nga NOA duke anashkaluar bursat ALPEX dhe HUPX dhe ankandin, metodë kjo e tregtimit të energjisë e ndaluar me vetë rregulloren e KOSTT, e të gjitha këto shkelje janë bërë nën vëzhgimin dhe dijeninë e ZRRE-së e cila nuk ka reaguar fare, për më tepër ZRRE-ja mbikëqyr dhe licenson të gjithë operatorët në tregun e energjisë”, ka deklaruar Bajrami.