Bajrami alarmon për deficitin tregtar: Kosova importoi 6.35 miliardë euro, eksportoi vetëm 960 milionë
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka ngritur shqetësimin për thellimin e deficitit tregtar të Kosovës, i cili gjatë dhjetë muajve të parë të vitit 2026 ka arritur në 5.39 miliardë euro.
Përmes një reagimi në Facebook, Bajrami ka bërë të ditur se nga janari deri në tetor, Kosova ka importuar mallra në vlerë prej 6.35 miliardë eurosh, ndërsa eksportet kanë arritur në vetëm 960 milionë euro.
Sipas saj, kjo nënkupton se për çdo 100 euro mallra të importuara, Kosova ka eksportuar vetëm 15 euro.
Bajrami ka theksuar se, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2025, eksportet janë rritur për 185 milionë euro, ndërsa importet për 492 milionë euro. Si rrjedhojë, deficiti tregtar është thelluar edhe për 306 milionë euro.
Ajo ka kritikuar politikat e Qeverisë ndaj bizneseve vendore, duke pretenduar se ato po përballen me vonesa në subvencione, mungesë kompensimi për dëmet në bujqësi dhe kosto të larta të prodhimit.
Deputetja e LDK-së ka veçuar edhe akcizën dhe TVSH-në në karburante, për të cilat ka thënë se po rrisin kostot për prodhuesit vendorë dhe po krijojnë kushte më të favorshme për produktet e importuara.
Lexo edheYmeri: Tregtia me Serbinë ka ndodhur, këtë fakt nuk po munden ta demantojnë
“Me thanë asgjë është e padrejtë, sepse në plot raste po i persekuton bizneset vendore, po i vonon subvencionet e nuk po i kompenson dëmet në bujqësi e si asnjë qeveri tjetër në rajon po merr të plotë akcizën e TVSH-në në karburante, duke rritur koston e prodhimit e duke krijuar hapësirë për produktet e importit”, ka shkruar Bajrami.
Në fund, ajo ka ngritur pyetjen se çfarë po bën Qeveria për të lehtësuar kostot e prodhuesve vendorë, për të rritur shitjet në tregun e brendshëm dhe për t’u mundësuar atyre depërtimin në tregjet ndërkombëtare. /Lajmi.net/

