Avokati e përfundon deklaratën me fjalët e Byrnes: E ndjeja njerzillëkun e Krasniqit, e donte paqen

Mbrojtja e Jakup Krasniqit po vazhdon me paraqitjen e fjalëve përmbyllëse në gjyqin e madh ndaj Thaçit dhe të tjerëve.
Avokati Aiden Ellis u shpreh se Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk ka prova që Krasniqi ka ushtruar autoritetin e tij, siç pretendohet, për të kryer arrestime apo ndalime, transmeton Klankosova.tv.
“[Prokuroria] pretendon në mënyrë të pabazuar sipas nesh, që Jakup Krasniqi ka ushtruar autoritetin e vet për arrestimin dhe ndalimin e Blerim Kuqit. Prokuroria e di që këto pretendime, këto akuza nuk i ka provuar, kështu që është munduar të largohet nga to me argumentet me gojë”, tha Ellis.
“Prokuroria as nuk ka prova që Kuqi është arrestuar në praninë e Krasniqit, dhe sipas parashtrimeve tona, për barrën e provës në këtë çështje ia vlen të shkruhet një libër të tërë. Prokuroria nuk ka thirrur asnjë person që ka qenë prezent në momentin e arrestimit”, tha Ellis.
Ai shtoi se para mbrojtjes, sipas tij, kanë lindur dyshime mbi dëshmitë e ZPS-së.

Lexo edheNis takimi mes Ramës dhe Osmanit, thellim i bashkëpunimit Shqipëri–Kosovë
Para trupit gjykues, Ellis po ashtu tha se forcat serbe kanë shkatërruar disa zona të Kosovës, teksa shtoi se Kuqi mund të jetë arrestuar për shkak të dezertimit.
Fjalën e tij ai e përfundoi me fjalët e një dëshmitari ndërkombëtar, Shaun Byrnes.
“Unë e ndjeja njerzillëkun dhe seriozitetin e tij, ai ishte në thelb një burrë që e donte paqen”, u shpreh Ellis.














