BallinaLajmeLajmet e FunditAvokati Bajraktari: 16 korriku datë e rëndësishme, procesi në Hagë është shoqëruar...

Avokati Bajraktari: 16 korriku datë e rëndësishme, procesi në Hagë është shoqëruar me shkelje të shumta

Sot, gjykata Speciale ka bërë të ditur se se Trupi gjykues në çështjen ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, ka caktuar datën 16 korrik 2025 për ta bërë publik vendimin e tyre në lidhje me mocionin e përbashkët të ekipeve mbrojtëse për të rrëzuar pjesë të caktuara të aktakuzës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Ndaj kësaj ka reaguar avokati Ardian Bajraktari, duke thënë se 16 korriku është datë e rëndësishme për këtë proces gjyqësor dhe test serioz i objektivitetit të gjykatës, shkruan Gazeta Express.

Ai ka vlerësuar se procesi gjyqësor është i shoqëruar me shkelje të shumta, duke përmendur çështje si mungesa e transparencës, stërzgjaten e procesit, si dhe qasjen diskriminuese.

‘‘16 Korriku është datë e rëndësishme për procesin gjyqësor ndaj ish krerëve të UÇK-së dhe test serioz i objektivitetit të gjykatës

Procesi gjyqësor ndaj ish krerëve të UÇK-së në Hagë, tashmë, është në një fazë të rëndësishme, javen e ardhshme, gjegjësisht më 16 Korrik do të bëhet publik vendimi i trupit gjykues lidhur me mocionin e përbashkët të palës mbrojtëse, përkatësisht kërkesën për hudhje të pikave të aktakuzës.  Ky proces gjyqësor është i shoqëruar me shkelje të shumta, siç i kemi thënë që në krye të herës, duke filluar nga mungesa e transparencës, stërzgjatja e procesit, mungesa e kredibilitetit të provave/dëshmive, qasja diskriminuese ndaj palës mbrojtese në raport me palën akuzuese, e mbi të gjitha vënia në dyshim e objektivitetit të trupit gjykues’’, ka shkruar ai.

Tutje, ai ka thënë se parimi i objektivitetit apo i barazisë së palëve në procedurë, është bazë dhe fundament, parim i cili, siç ka thënë avokati, është cenuar nga Specialja.

‘‘Objektiviteti apo parimi i barazisë së palëve/armëve në procedurë, është bazë dhe fundament i garantimit të një gjykimi të drejtë, të paanshem e objektiv.  Ky parim te Dhomat e Specializuara në Hagë, është i cënuar seriozisht që nga mënyra se si është ideuar dhe se si funksionin kjo Gjykatë, e tëra nën një ombrellë’’, ka vijuar ai.

Në fund, ai ka përmendur edhe trupin gjykues, ‘’veçmas njërin prej anëtarëve’’, që ka bërë pyetje orientuese. Avokati ka thënë se vendimmarrja me 16 korrik është një test i këtij shqetësimi

‘‘Edhe veprimet (në jo pak raste) të trupit gjykues, e veçmas njërin prej anëtarëve, duke u përfshirë me pyetje orientuese, rrjedhimisht të ndaluara për dëshmitarët, e çon në një dimension tjetër dyshimin, duke e ngritur nivelin në shqetësim serioz objektivitetin e trupit gjykues. Vendimmarrja e cila do të publikohet javën e ardhshme, gjegjësisht më 16 Korrik, është një test i këtij shqetësimi dhe sinjal tejet domethënës për ecurinë e procesit dhe vendimmarrjen e mëpastajme përkitazi me këtë proces gjyqësor sa të ndjeshëm aq edhe të rëndësishëm’’, ka shkruar ai./GazetaExpress

- Advertisement -