Gara për titull të kampionit në Premierligë mes Arsenalit dhe Manchester Cityt po bëhet gjithnjë e më e zjarrtë dhe ekziston mundësia reale që dy skuadrat ta mbyllin sezonin me pikë të barabarta.
Por si vendoset kampioni në një situatë të tillë?
Sipas rregullores së Premierligës, renditja përcaktohet fillimisht nga numri i pikëve, njoftojnë mediat angleze, përcjell “Gazeta Express”.
Nëse dy skuadra janë të barabarta me pikë, atëherë hyjnë në fuqi kriteret e mëposhtme, sipas këtij rendi:
– Diferenca e golave
– Numri i golave të shënuar
– Pikët e fituara në përballjet direkte
– Golat në udhëtim në përballjet direkte
Në rast se skuadrat mbeten të barabarta edhe pas këtyre kritereve, atëherë titulli vendoset përmes një ndeshjeje “play-off” në një fushë neutrale.
Aktualisht, diferencat mes Arsenalit dhe Manchester Cityt janë minimale, si në golaverazh ashtu edhe në numrin e golave të shënuar, çka e bën edhe më të mundshëm një skenar dramatik deri në fund të sezonit.
Madje, në një situatë ekstreme ku gjithçka është e barabartë, Premierliga mund ta shpallë kampionin përmes një ndeshjeje vendimtare – diçka që nuk ka ndodhur kurrë më parë në histori. /Gazeta Express