Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar për veprën penale “Vrasje në tentativë”, lidhur me një incident të ndodhur më 12 korrik 2025 në fshatin Gojbuljë të Vushtrrisë.
Sipas Sektorit Rajonal për Hetime në Mitrovicën e Jugut, i dyshuari F.A., 40-vjeçar, dyshohet se ka qenë i përfshirë në të shtënat me armë zjarri, ku është plagosur një mashkull kosovar-shqiptar që po ruante një pronë private. Viktima është dërguar për trajtim në QKUK, Prishtinë.
Në vendin e ngjarjes janë sekuestruar dy gëzhoja arme zjarri si prova materiale. Policia njofton se në kërkim policor mbeten edhe dy persona të tjerë të dyshuar për përfshirje në këtë rast.
Pas intervistimit, ndaj F.A.-së me vendim të prokurorit kompetent është caktuar masa e ndalimit policor. Hetimet për zbardhjen e plotë të rastit po vazhdojnë.