Ish-deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, i cili po garon edhe për një mandat në legjislativ në zgjedhjet e 28 dhjetorit, ka folur si kurrë më parë në emisionin “Weekend” në Klan Kosova.
Ai tregon se si pasojë e angazhimeve të veta, vetja i duket shpesh si mysafir në shtëpinë e tij.
Mes shumë temave, ai foli edhe për ngjarjen që i ka ndodhur pak kohë më parë në sheshin e Prishtinës, derisa ai ishte duke dhënë një intervistë, kur u përlesh fizikisht me një qytetar.
“Nuk besoj që askush nuk ka dashur të më shohë në një situatë të tillë. Është ngarkuar shumë polarizimi i kësaj shoqërie, dhe kjo fatkeqësisht ka ndikuar te njerëzit që t’i japin të drejtë vetes që të ofendojnë dikë, shajnë e linçojnë, e madje edhe ta sulmojnë dhe të mendojnë se kanë të drejtë, sepse ai person nuk mendon sikur partia në pushtet, ose qeveria në ikje. Si veprim mendoj se ka qenë i domosdoshëm dhe është shndërruar në shembull, ndonëse aktet e dhunës nuk duhet as që të mendohen e përkrahen, por është shndërruar në shembull që as nuk munesh me fy, linçu e aq më pak me sulmu pse nuk mendon si ti, ose pse nuk mendon sikur ai që ti e përkrah politikisht”, deklaroi Zemaj.