Armë dhe varreza masive në Zubin Potok, Kosova kërkon reagim ndërkombëtar ndaj Serbisë

Institucionet e Kosovës kanë publikuar të dhëna të reja lidhur me operacionet policore të zhvilluara në Zubin Potok, ku gjatë kontrolleve janë sekuestruar sasi të mëdha armësh, municioni dhe pajisje me karakter ushtarak.
Operacionet janë zhvilluar në periudhën 6–17 gusht dhe kanë përfshirë gjithsej 48 lokacione. Sipas autoriteteve, në këto zona janë gjetur armë të llojeve të ndryshme, mjete shpërthyese, municion, uniforma dhe pajisje të Ushtrisë dhe Policisë së Serbisë, transmeton lajmi.net.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka bërë të ditur se gjatë kontrolleve janë sekuestruar 72 armë. Në mesin e tyre janë dy mitralozë, 11 pushkë të tipit AK-47, 22 armë të tjera të gjata, 27 pushkë gjuetie, nëntë pistoleta dhe një pushkë ajrore.
Përveç armëve, në lokacionet e kontrolluara janë gjetur edhe granata dore, mjete piroteknike, uniforma dhe pajisje të ndryshme ushtarake.
Policia ka sekuestruar gjithashtu dokumentacion të ndryshëm, përfshirë leje për armë, kartela të veteranëve, si dhe shuma të konsiderueshme parash. Në total, bëhet fjalë për rreth 96 mijë e 100 euro dhe 5 mijë franga.
Armët u gjetën pranë zonave ku u zbuluan varreza masive
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka lidhur operacionet e fundit me zbulimin e varrezave masive në këtë pjesë të vendit.
Sipas tij, në tri lokacione në Zubin Potok janë gjetur mbetje mortore të së paku 23 personave. Sveçla ka thënë se ky zbulim paraqet dëshmi të rëndësishme për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë dhe ka ngritur pretendimin se veriu i vendit është përdorur edhe për fshehjen e trupave të viktimave.
Ai ka kritikuar ashpër autoritetet e Serbisë dhe Listën Serbe për mungesën e reagimit ndaj zbulimeve të fundit, duke kërkuar që ndaj Serbisë të ketë presion më të madh ndërkombëtar.

Lexo edheTre punëtorë të KEK-ut humbin jetën brenda më pak se dy muajsh, ngrihen shqetësime për sigurinë në punë
Sveçla ka deklaruar se heshtja për këto raste nuk duhet të shihet si një qëndrim neutral, por si një qëndrim që, sipas tij, favorizon personat përgjegjës për krimet.
Dyshime për lidhjen e armëve me vrasjet e “Grupit të Intelektualëve”
Në anën tjetër, drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha, ka bërë të ditur se autoritetet kanë dyshime se një pjesë e armëve të sekuestruara mund të kenë lidhje me një prej rasteve më të rënda të vrasjeve gjatë luftës në Kosovë, atë të njohur si “Grupi i Intelektualëve”.
Hoxha ka theksuar se për momentin bëhet fjalë vetëm për dyshime dhe se lidhja eventuale me këtë rast duhet të vërtetohet përmes ekzaminimeve forenzike.
Sipas tij, armët do t’i nënshtrohen analizave të hollësishme laboratorike në Kosovë, ndërsa në rast nevoje ekzaminimet mund të kryhen edhe në laboratorë jashtë vendit.
Hetimet pritet të përcaktojnë prejardhjen e armëve, mënyrën e përdorimit të tyre dhe nëse ndonjëra prej tyre mund të jetë përdorur në krime lufte apo raste të tjera kriminale.
Zbulimi i arsenalit të armëve, në të njëjtën periudhë kur janë identifikuar varreza masive në Zubin Potok, ka shtuar thirrjet e institucioneve të Kosovës për hetim të plotë të rasteve dhe për përfshirje më të madhe të faktorit ndërkombëtar./lajmi.net/












