Tre punëtorë të KEK-ut humbin jetën brenda më pak se dy muajsh, ngrihen shqetësime për sigurinë në punë

Brenda më pak se dy muajsh, tre punëtorë të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) kanë humbur jetën si pasojë e aksidenteve në vendin e punës. Rastet e njëpasnjëshme kanë rikthyer në vëmendje çështjen e sigurisë së punëtorëve dhe masat që po ndërmerren për parandalimin e aksidenteve në sektorin energjetik.
Për këto raste kanë reaguar edhe deputetë nga partitë opozitare, përfshirë LDK-në, PDK-në dhe Aleancën, të cilët kanë shprehur shqetësim për kushtet e punës, sigurinë e punëtorëve dhe numrin e pamjaftueshëm të inspektorëve, transmeton lajmi.net.
Në anën tjetër, deri më tani nuk është bërë i ditur ndonjë reagim i kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, lidhur me vdekjen e punëtorëve të KEK-ut. Kjo është vënë në kontrast me reagimin e tij për një incident në Vlorë të Shqipërisë, ku disa pushues u lënduan pas përfshirjes nga zjarri të një hoteli.
Rasti i parë në këtë periudhë ishte ai i Milazim Binakut. Ai ishte lënduar rëndë më 8 korrik, gjatë kryerjes së detyrave të tij në KEK.
Sipas njoftimit të KEK-ut, aksidenti kishte ndodhur në Fabrikën e Pajimeve Xehtare në Palaj. Binaku kishte marrë lëndime të rënda trupore dhe ishte trajtuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Megjithatë, pavarësisht trajtimit mjekësor, ai nuk arriti t’u mbijetonte plagëve dhe më 16 korrik u konfirmua vdekja e tij.
Rasti i dytë u shënua më 16 gusht, kur humbi jetën punëtori Haxhi Gojnovci. Ai kishte pësuar lëndime të rënda gjatë kohës që ndodhej në zonën e ekskavatorit.
KEK-u bëri të ditur se aksidenti kishte ndodhur gjatë lëvizjes së tij në këtë zonë, ndërsa më pas u konfirmua se Gojnovci nuk kishte arritur t’u mbijetonte lëndimeve.

Lexo edheTragjedi në Shëngjin, një person i vdekur dhe një tjetër i lënduar pas aksidentit ujor
Vetëm katër ditë më vonë, më 20 gusht, KEK-u njoftoi për një tjetër rast fatal.
Punëtori Arbenit Ahmeti ka humbur jetën pas një aksidenti gjatë punës me kabllo elektrike. Sipas informatave fillestare të KEK-ut, Ahmeti ishte duke marrë pjesë në transportimin dhe zhvendosjen e kabllove 6 kV, kur kishte rënë në kontakt me tensionin elektrik.
Pas incidentit, atij i ishte dhënë ndihma emergjente dhe ishte dërguar për trajtim në Ambulancën e Obiliqit. Pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor, ai nuk arriti të mbijetojë.
Tre vdekjet brenda një periudhe kaq të shkurtër kanë shtuar thirrjet për hetim të plotë të rrethanave të aksidenteve dhe për forcimin e masave të sigurisë në vendet e punës në KEK./lajmi.net/












