Arlinda Zekaj paralajmëroi rrezikun tri ditë para vrasjes, çfarë u tha sot për rastin që tronditi Kosovën

Vrasja e Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës ka nxitur reagime të shumta dhe ka ngritur pikëpyetje për mënyrën se si institucionet i trajtuan paralajmërimet e saj për rrezikun ndaj jetës.
Vetëm tri ditë para se të vritej, Arlinda kishte kërkuar ndihmë nga institucionet, ndërsa rasti ka rikthyer në vëmendje përgjegjësinë e mekanizmave shtetërorë për mbrojtjen e grave që përballen me dhunë dhe kërcënime.
Gjatë ditës së sotme, rasti u diskutua edhe në Kuvendin e Kosovës, ku përfaqësues të pozitës dhe opozitës kërkuan hetim të plotë dhe llogaridhënie institucionale.
Kryeministri Albin Kurti kërkoi rishikimin urgjent të rasteve aktive me rrezik të lartë dhe propozoi që brenda 72 orëve të dokumentohen masat e sigurisë, përgjegjësitë e zyrtarëve dhe bashkërendimi mes institucioneve. Ai kërkoi gjithashtu raport të detajuar nga Ministria e Drejtësisë për reagimin ose mosreagimin e hallkave institucionale në rastin e Arlindës.
Ndërkohë, përfaqësues të opozitës kërkuan përgjegjësi politike, dorëheqje dhe shkarkime, duke vënë në pikëpyetje mënyrën se si u trajtuan kërkesat e viktimës për ndihmë.
Në anën tjetër, sipas raportimit të Prokurorisë, Arlinda kishte kërkuar të kthehej te djali i saj. Ky detaj është bërë pjesë e raportimeve për rastin, ndërsa rrethanat e plota që i paraprinë vrasjes mbeten për t’u sqaruar nga organet e drejtësisë.

Lexo edheGjini: Kurti ligjëroi për përgjegjësitë e shtetit, por askush nga pushteti nuk dha dorëheqje pas vrasjes së Arlinda Zekajt
Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar se, me autorizimin e Prokurorisë së Shtetit, ka nisur veprimet hetimore dhe verifikuese për mënyrën se si Policia i trajtoi të gjitha rastet e raportuara nga Arlinda Zekaj. Në kuadër të këtij procesi do të shqyrtohen veprimet e ndërmarra, si dhe lëshimet e mundshme nga zyrtarët përgjegjës.
Vrasja e Arlinda Zekajt ka rikthyer në qendër të debatit publik një pyetje të rëndë: a u bënë të gjitha veprimet e nevojshme për ta mbrojtur, pasi ajo kishte paralajmëruar për rrezikun që i kanosej. /Lajmi.net/
Për më shumë detaje, ndiqeni videon e plotë:












