Boksieri meksikan Andy Ruiz Jr, pasi befasoi botën me fitoren me “KO teknik” në raundin e shtatë ndaj Anthony Joshua, po përgatitet për të zhvilluar revanshin me rivalin britanik.
Ruiz Jr mori titujt kampionë bote në peshën e rëndë (IBF, WBA dhe WBO), të cilët ai shpreson t’i mbajë sa më gjatë. Duke nisur nga revanshi me Joshua.
Gjithsesi, meksikani ka bërë gati planet për të ardhmen dhe në axhendën e tij është edhe kampioni tjetër i botës në peshat e rënda, Deontay Wilder (kategoria WBC).
“Kjo është ajo që unë synoj, të dueloj ndaj Wilder dhe t’i marr titullin kampion bote. Gjithsesi, fillimisht kam revanshin ndaj Joshua dhe më pas e ka radhën Wilder”, tha meksikani.
Andy Ruiz beson se do t’i mbrojë titujt edhe në revansh dhe do të bëjë atë që nuk e ka bërë njeri kohët e fundit, të unifikojë titujt kampionë bote në peshën rëndë.
“Do t’i marr të gjithë titujt kampionë. Surprizat mund të vazhdojnë ende”, tha Ruiz, që numëron 32 fitore (21 me KO) dhe vetëm një humbje në karrierë.