Ambasadori gjerman në Kosovë, Christian Heldt ka konfirmuar se sa i përket çështjes së liberalizonit të vizave të kosovarëve ka pasur bisedime në qeverinë gjermane.
“Kryeministri i Kosovës e ka pasur një takim me ministrin e brendshëm të Gjermanisë, dhe ata në atë takim janë marrë vesh që detajet e tjera për këtë pajtim të cilin e kanë pasur për çështjen e liberalizimit të vizave, t’i diskutojnë në takimet bilaterale dhe përgatitjet për këtë takim janë në vazhdimësi”, ka thënë i dërguari i Berlinit në Kosovë kur është pyetur rreth “Po”-së së Gjermanisë për mbështetjen rreth liberalizimit, njofton Klan Kosova.
Ai këto deklarata i bëri me rastin e inaugurimit të restaurimit të Katedrales së Artanës, projekt ky i financuar nga Ambasada Gjermane.
Ndërkaq i pyetur rreth kundërmasave të paralajmëruara nga Beogradi për taksën e autoriteteve kosovare, Heldt është përgjigjur shkurt “Pyeteni Qeverinë në Beograd”, njofton Klan Kosova.
Haradinaj kishte deklaruar në një nga mbledhjet e Qeverisë se Gjermania është pro liberalizimit të vizave për Kosovën.
“E kemi “Po”-në e Merkelit për vizat”, është shprehur ai.
Këtë konfirmim, Haradinaj pati thënë se e kishte marrë nga qëndrimi në Berlin ku u mbajt samiti për vendet e Ballkanit Perëndimor.
Shefi i Qeverisë mbështetjen e Gjermanisë për vizat e morri edhe gjatë një takimi që pati atje në fund të muajit prill me ministrin e Punëve të Brendshme të këtij vendi, Horst Seehofer, njofton Klan Kosova.