Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Jonathan Hargreaves ka vlerësuar pozitivisht pjesëmarrjen e qytetarëve në zgjedhjet lokale që po mbahen sot në vend, duke e cilësuar ditën e sotme si një moment të rëndësishëm për demokracinë në Kosovë.
Ai ka thënë se është inkurajuese të shihet pjesëmarrja e të gjitha komuniteteve në procesin zgjedhor. Ai u pyet edhe për votimin në mënyrë të organizuar nga Lista Serbe.
“Ka qenë një ditë e mrekullueshme deri tani. Kemi qenë në disa qendra votimi në veri të Kosovës dhe tani këtu në Drenas. Është mirë të shohim shumë njerëz që po marrin pjesë në këto zgjedhje. Është vërtet e rëndësishme që njerëzit nga të gjitha komunitetet e ndryshme të dalin e të votojnë. Nga ajo që kemi parë deri tani, njerëzit po marrin pjesë shumë mirë. Kjo është gjëja më e mirë që mund të shpresojmë. Do të jetë një ditë e gjatë, por një ditë e madhe për zhvillimin e vazhdueshëm të demokracisë në Kosovë,” tha ambasadori Hargreaves gjatë vizitës në qendrën e votimit “Rasim Kiçina” në komunën e Drenasit.
I pyetur në lidhje me procesin e votimit të organizuar nga Lista Serbe në pjesën veriore të Kosovës, që është cilësuar si shkelje e rregullave, Hargreaves tha se vlerësimi i ligjshmërisë së procedurës nuk është në mandatin e tij, por theksoi rëndësinë që qytetarët të votojnë lirshëm dhe përfaqësuesit që besojnë se do t’u shërbejnë më mirë.
“Nuk do të komentoj nëse kjo ishte brenda apo jashtë ligjeve. Nuk më takon mua ta komentoj këtë. Mendoj se është gjë e mirë që njerëzit nga të gjitha komunitetet e ndryshme të vendit po votojnë sot. Sigurisht, në zgjedhjet e fundit lokale ata nuk morën pjesë, prandaj është shumë e rëndësishme që këtë herë kanë votuar. Do t’i takojë Komisionit Zgjedhor dhe të tjerëve të vlerësojnë nëse janë ndjekur të gjitha procedurat apo jo. Por mendoj se gjëja më e rëndësishme, në thelb, është që njerëzit të votojnë lirshëm për ata që duan t’i përfaqësojnë dhe për ata që mendojnë se mund t’u shërbejnë më mirë si individë në komunitetet e tyre,” tha Hargreaves.
Këtë deklaratë ai e bëri gjatë vizitës në komunën e Drenasit, ku ka vëzhguar procesin e votimit në qendrën “Rasim Kiçina”./IndeksOnline/