Ambasada Gjermane: Respektoni vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe veproni drejt kompromisit politik

Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë e ka mirëpritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese e cila i bënë thirrje deputetëve që brenda 30 ditësh të konstituojnë Kuvendin që përmes votimit të hapur ta zgjedhin kryetarin e Kuvendit. Ambasada e Gjermanisë pret që konstituimi i Kuvendit të bëhet brenda afateve të përcaktuara dhe u bënë thirrje përfaqësuesve politik të veprojnë drejtë një kompromisi.
‘’Ne e mirëpresim vendimin procedural të Gjykatës Kushtetuese. Është e domosdoshme që të gjitha partitë politike dhe palët e interesuara ta respektojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe të veprojnë në përputhje me rrethanat, në mënyrë që qytetarët e Kosovës më në fund të kenë parlamentin për të cilin votuan më shumë se gjysmë viti më parë. Ne presim një zgjidhje të zbatushme brenda afatit dhe u bëjmë thirrje të gjithë akterëve politik të veprojnë drejt një kompromisi”, tha Ambasada e Gjermanisë per rtv21.
Ambasada e Gjermanisë ka kërkuar nga përfaqësuesit politik që të mos bëjnë presion mbi Gjykatën Kushtetuese dhe t’i ndalin sulmet ndaj gjyqtarëve të saj.

Lexo edheNoizy dhe Yll Limani sjellin këngën e re “Netët e vona”
“Si një institucion kyç demokratik në një vend të pavarur, është jetike që Gjykata Kushtetuese e Kosovës të jetë në gjendje të kryejë në mënyrë të pavarur mandatin e saj. Sulmet personale kundër gjyqtarëve janë të papranueshme dhe dëmtojnë besimin dhe pavarësinë e Gjykatës. Akuzat kundër gjyqtarëve të emëruar në mënyrë demokratike duhet të paraqiten në një mënyrë të qartë dhe të rregullt në përputhje me procedurat e duhura ligjore. Ne e mbështesim plotësisht Gjykatën Kushtetuese dhe i shohim me shqetësim akuzat e motivuara politikisht që pengojnë funksionimin e saj efektiv, veçanërisht në një kohë kur Parlamenti ende nuk ka arritur të përmbushë detyrat e tij të përfaqësimit të qytetarëve të tij”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës së Gjermanisë në Prishtinë














