Aktorja Delinda Disha hap një kapitull të ri, tashmë kandidate për kryetare në Tepelenë

Moderatorja, aktorja dhe moderatorja e njohur Delinda Zhupa Disha ka bërë publike kandidaturën e saj si kandidate e pavarur për kryetare të Bashkisë Tepelenë. Lajmin ajo e ndau me ndjekësit në rrjetet sociale, duke shprehur entuziazmin për këtë hap të ri në jetën e saj profesionale dhe personale.
“Jam shumë e lumtur të ndaj me ju këtë vendim si kandidate e pavarur për kryetare të Bashkisë Tepelenë”, shkruan ajo në njoftimin e saj.
Vendimi i Delindës për t’u angazhuar në politikë vjen pas një periudhe të tensionuar në marrëdhëniet me televizionin MCN, ku ishte e angazhuar si moderatore.
Konflikti u bë publik pas pretendimeve të saj për mosdhënie pagash për një kohë të gjatë, që solli edhe përplasje verbale dhe ndarje përfundimtare nga televizioni.

Lexo edheBefasuese, kandidati i LDK-së kërkon që të votohet kandidati i VV-së
Përtej medias, Delinda Zhupa Disha është një emër i njohur për publikun shqiptar për shkak të karrierës së saj si aktore humori. Ajo ka qenë pjesë e trupës së spektaklit “Portokalli” për disa sezone, ku u bë e njohur me rolet komike, si dhe ka marrë pjesë në projekte të tjera televizive si “Klanifornia”, duke spikatur me interpretimin dhe energjinë e saj në skenë.
Gjatë viteve, Delinda ka ndërtuar një profil të larmishëm, duke kaluar nga arti dhe media në angazhimin qytetar. Tashmë, ajo duket e vendosur të sjellë përvojën e saj në shërbim të komunitetit të Tepelenës, me synimin për të kontribuar pozitivisht në zhvillimin e qytetit. /oranews














