Në prag të sfidës historike të Kosovës ndaj Sllovakisë, presidenti i FFK-së Agim Ademi, ka dërguar një mesazh motivues për lojtarët dhe tifozët, duke theksuar rëndësinë e mbështetjes së jashtëzakonshme që Kombëtarja po merr nga bashkëatdhetarët nga e gjithë bota.
Ademi shprehu se qytetarët e Kosovës dhe diaspora e kanë bërë të qartë se “ky nuk është thjesht një udhëtim, por dëshmia më e pastër e atdhedashurisë dhe rrugëtimit tonë të përbashkët drejt ëndrrës së madhe”.
Ai falënderoi tifogrupin “Dardanët”, qytetarët dhe bashkëatdhetarët që kanë udhëtuar nga SHBA-ja, Kanadaja, Skocia, Gjermania, Austria, Belgjika dhe vendet skandinave për të qëndruar pranë Kombëtares.
Postimi i plotë:
Sot, kryeqyteti i Sllovakisë frymon shqip.
Jam pafundësisht krenar kur shoh se si bashkëatdhetarët tanë kanë udhëtuar nga çdo kënd i globit, nga SHBA-të dhe Kanadaja, nga Skocia, Gjermania, Austria e Belgjika, e deri te shtetet skandinave për të qenë krahu i djathtë i djemve tanë.
Ky nuk është thjesht një udhëtim. Është dëshmia më e pastër e atdhedashurisë dhe rrugëtimit tonë të përbashkët drejt ëndrrës së madhe.
Sonte, përballë nesh është sfida më rëndësishme në historinë tonë të futbollit kundër Sllovakisë. Por, me këtë përkrahje madhështore pas shpine, djemtë tanë në fushë nuk do të jenë vetëm.
Falënderoj nga zemra tifogrupin “Dardanët”, qytetarët e shumtë të Kosovës, bashkëatdhetarë nga të gjitha vendet e botës që po i qëndrojnë djemve tanë përherë afër në çdo arenë dhe për energjinë që i japin Kombëtares së Kosovës.
Uroj me gjithë shpirt që djemtë tanë sonte t’i përcjellë fati dhe t’ua shpërblejnë këtë mund e këtë besim me një fitore historike.
Forca Kosovë! 🇽🇰🙌