Me rizgjedhjen në krye të LDK-së Isa Mustafa, ka nisur edhe takimet me ambasadorët e vendeve të Quint-it.
Dy ditë pas takimit me Ambasadori amerikan, Philip Kosnett, Mustafa ka planifikuar takim edhe me Ambasadorin Italian, Piero Sardi, takime këto në kuadër të zhvillimeve të fundit në vend pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga funksioni i kryeministrit.
Takimi me ambasadorin Sardi, pritet të nis nga ora 12:00 në selinë e LDK-së.
Ndonëse zyrtarisht nuk është thënë por bazuar në debatin në opinon, ndërkombëtarët po iu propozojnë partive politike që të bëhen pjesë e qeverisë së re, duke ju rekomanduar mos dërgimin e vendit në zgjedhje të parakohshme.
Se ka kërkesa të tilla për krijimin e një qeverie të re, këtë e konfirmoi mbrëmë në Debat Plus të RTV Dukagjini, kryetari i NISMA-s Fatmir Limaj.
Ai ka pohuar se oferta i është përcjellur përmes subjekteve politike, të cilën thotë ta ketë refuzuar.
“Nisma është kontaktu dhe nuk futet në këtë temë. Ka pasur komunikime prej subjekteve politike tjera. Unë po bëhem korrekt dhe po ju tregoj se me kanë kontaktu. Unë e kam mbyllur këtë çështje në sekond. Mua me kanë kontaktu forcat politike, më shumë se një subjekt. Kanë pyetur çka nëse ndodh kjo? Kam deklaru që vendi shkon në zgjedhje përseri“, ka deklaruar Limaj, në Debat Plus të RTV Dukagjini, raporton GazetaBlic.