Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ka shprehur pritjet e tij nga ministri i ardhshëm i Arsimit, duke kërkuar rikthimin e praktikës së mëhershme të shpërndarjes së teksteve shkollore dhe hapjen e dialogut me akterët e arsimit për çështjet kryesore që prekin sistemin arsimor.
Ai tha se ministri i ri duhet të jetë njohës i arsimit dhe i gatshëm të dëgjojë këshillat dhe propozimet e të tjerëve.
“Uroj që të vijë një ministër që e njeh dhe e do arsimin dhe i dëgjon edhe këshillat e propozimet e të tjerëve. Uroj që ministria dhe ministri i ardhshëm, cilido qoftë, të kthehet në mënyrën e shpërndarjes së teksteve si dikur, ku ministria do të përgatisë marrëveshje me botuesit dhe pastaj ata do t’i shpërndajnë librat në shkolla, në mënyrë që mësimdhënësit, në fillimin e vitit të ri, t’i ndajnë librat shkollorë sipas numrit të nxënësve në klasa”, ka deklaruar ai për Indeksonline.
Jasharaj ka kritikuar modelin e përdorur në vitet e fundit për sigurimin e teksteve shkollore, duke thënë se ai ka krijuar vështirësi për prindërit.
“Mos të shkohet më me metodën e 2-3 viteve të fundit, sepse prindërit kishin halle të vraponin nga njëra librari në tjetrën dhe të prisnin për rimbursim. Pra, më mirë është të kthehemi në mënyrën e kahershme, që tekstet shkollore të dërgohen në shkolla e pastaj të shpërndahen, e jo të presim 2-3 muaj për furnizim. Të përgatisë marrëveshje me botuesit e teksteve shkollore. Të kthehemi në metodën e kaluar”, ka theksuar ai.
Tutje, Jasharaj ka kërkuar gjithashtu që ministri i ardhshëm të ketë gatishmëri për dialog dhe të adresojë çështjen e kontratës kolektive.
“Uroj që ministri i ardhshëm të ketë prirje për dialog, në mënyrë që të debatojmë për të gjitha çështjet. Kërkesa e parë për ministrin e ri është të nënshkruhet kontrata kolektive, sepse jemi nga vendet e rralla në botë që s’kemi marrëveshje as në nivel vendi e as kontratë kolektive”, vlerësoi ai.
Sipas Jasharajt, një tjetër prioritet duhet të jetë përmirësimi i kushteve të punës në shkolla dhe ngritja e çështjes së pagave në sektorin e arsimit.
“Do të bisedojmë për kushtet e punës, në mënyrë që shkollat të mos i ngjajnë shekullit të kaluar, që të ndahen mjete dhe ato të jenë me mjete bashkëkohore e jo me shkumësa e shpuza. Edhe ministri ta ngrejë zërin për pagat, sepse kemi pagat më të vogla karshi pagave në arsim në Shqipëri, Mal të Zi dhe vendet e tjera”, tha Jasharaj./IndeksOnline/