Një rrugëtim i jashtëzakonshëm prej 1,500 kilometrash po përmbyllhet sot në zemër të Prishtinës.
Bokseri profesionist nga Llapi, Miridon Mulolli, i cili jeton dhe bën karrierë në Gjermani, pritet të mbërrijë sot në orën 14:00 në sheshin “Nëna Terezë”.
Mulolli nisi këtë sfidë mbinjerëzore ekzaktësisht para 15 ditësh nga qyteti Suhl i Gjermanisë, duke vrapuar dhe ecur përgjatë një rruge që e kaloi atë përmes Austrisë, Hungarisë dhe Serbisë, për të mbërritur më në fund në vendlindjen e tij, Kosovë.
Kjo rrugëtim i jashtëzakonshëm nuk është thjesht një sfidë sportive. Mulolli, i cili emigroi në Gjermani në vitin 2016 ku edhe u kualifikua si mjeshtër i automekanikës (Kfz-Meister) përpara se të shpallej kampion në boks, ka vrapuar me synimin për të frymëzuar të rinjtë që t’i dedikohen sportit dhe lëvizjes.
Ky marshim vjen gjithashtu si një parapërgatitje e madhe për meçin e tij të radhës për Titullin e Gjermanisë, që pritet të zhvillohet më 29 gusht 2026.