Kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, ka bërë të ditur se nga nesër do të iniciojë padi ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti për “shpifje”.
Përmes një postimi në Facebook, Lushtaku ka akuzuar Kurtin se po vazhdon me “gënjeshtra dhe shpifje publike”, duke iu referuar deklaratave për një “tentativë sulmi me makinë” në Skenderaj gjatë vitit të kaluar.
Sipas Lushtakut, për rastin ekziston raport zyrtar policor dhe pamje nga kamerat e sigurisë, të cilat – siç thotë ai – dëshmojnë se nuk ka pasur asnjë rrezik në komunikacion dhe se rasti është mbyllur nga organet kompetente.
“Meqë po vazhdon me shpifje e sulme ndaj meje, nga nesër do të inicioj padi për këtë çështje”, ka shkruar ai.
Lushtaku ka kritikuar gjithashtu qeverisjen e Kurtit, duke thënë se pas gjashtë vitesh në pushtet “Kosovës nuk i la asnjë projekt madhor, por vetëm propagandë, përçarje dhe viktimizim politik”. /Lajmi.net/