Simone Inzaghi pritet të largohet nga Al-Hilali pas vetëm një sezoni në Arabinë Saudite, pavarësisht se verën e kaluar kishte nënshkruar një kontratë dyvjeçare me vlerë 26 milionë euro në sezon.
Largimi i trajnerit italian duket shumë pranë, ndërsa burime në Arabinë Saudite, të cituara nga “TuttoMercatoWeb”, raportojnë se ndarja do të konfirmohet pas ndeshjes së fundit të Al-Hilalit në Saudi Pro League.
Ndryshimi i pronësisë në klub thuhet se ka ndikuar në këtë vendim, së bashku me zhgënjimin për disa transferime të shtrenjta të verës që nuk dhanë rezultatet e pritura, veçanërisht Darwin Núñezin.
Ky zhvillim e rikthen Inzaghin në tregun evropian të trajnerëve pas më pak se një viti larg, dhe tani mbetet të shihet nëse ai do të rikthehet menjëherë në futbollin italian apo do të kërkojë një aventurë tjetër.
Në komentet e tij të fundit, Inzaghi foli hapur edhe për largimin nga Interi verën e kaluar.
“Të vërtetën, gjithçka ndodhi shumë shpejt,” tha ai.
“Dy ditë pas Monacos u takuam në shtëpinë e Marottas, me Ausilion dhe Baccin të pranishëm. Në atë takim shpreha nevojën për një ndryshim, sepse ndjeja se një cikël kishte përfunduar. Ata donin të vazhdonin me mua, por e kuptuan zgjedhjen time. U ndamë si miq dhe vazhdojmë të jemi të tillë. Por nëse do ta kishim fituar Ligën e Kampionëve, do të kisha qëndruar tek Interi”, shtoi ai.
Inzaghi pranoi gjithashtu se edhe më parë kishte refuzuar oferta nga klube të tjera.
“Edhe në situata të tjera kam pasur kërkesa dhe nuk i kam pranuar kurrë,” shtoi ai./GazetaExpress/