Jose Mourinho pritet të rikthehet në stolin e Real Madridit, në një lëvizje që mund të zyrtarizohet gjatë javës së ardhshme.
Sipas raportimeve të gazetarit Sacha Tavolieri, marrëveshja mes trajnerit portugez dhe klubit madrilen është arritur tashmë, ndërsa mbetet vetëm njoftimi zyrtar nga palët.
Mourinho aktualisht është pjesë e Benficas, por kontrata e tij përfshin një klauzolë largimi që i lejon të largohet kundrejt një pagese prej tre milionë eurosh.
Rikthimi i “The Special One” shihet si një përpjekje e Real Madridit për të rikthyer stabilitetin pas një sezoni të vështirë dhe pa trofe, ku skuadra është përballur me probleme sportive dhe tensione të brendshme.
Për Mourinhon, kjo do të ishte aventura e dytë në “Santiago Bernabeu”, pasi ai ka drejtuar madrilenët edhe në periudhën 2010–2013. Gjatë asaj kohe, portugezi fitoi titullin e La Ligas dhe Kupën e Mbretit, duke lënë gjurmë të rëndësishme në klub.
Ai pritet të zëvendësojë Alvaro Arbeloan, i cili nuk arriti të sjellë trofe gjatë drejtimit të skuadrës. Rikthimi i Mourinhos konsiderohet nga shumë media si një tentativë për të rikthyer disiplinën dhe konkurrueshmërinë në ekipin madrilen.
