Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja, ka miratuar Vendimin për Kornizat e Programit Vjetor 2026, duke përcaktuar drejtimet strategjike dhe ndarjen buxhetore për sektorin e bujqësisë në Kosovë.
Sipas njoftimit, programi kap vlerën prej 77.5 milionë euro dhe synon të mbështesë fermerët, të rrisë prodhimin vendor dhe të forcojë konkurrueshmërinë e sektorit bujqësor përmes një qasjeje të integruar zhvillimore.
Korniza e re programore është e ndarë në tre komponentë kryesorë: pagesat direkte, programi i zhvillimit rural dhe masat e stabilizimit të tregut.
Komponenti i pagesave direkte, me vlerë rreth 59.5 milionë euro, përfshin mbështetje për sipërfaqet bujqësore, fermerët e vegjël dhe të rinj, si dhe sektorët strategjikë si blegtoria, pemëtaria, perimet dhe bletaria.
Programi i zhvillimit rural, me vlerë 10 milionë euro, fokusohet në modernizimin e fermave, përpunimin e produkteve, organizimin e fermerëve, infrastrukturën rurale dhe digjitalizimin e sektorit.
Ndërsa masat e stabilizimit të tregut, me rreth 8 milionë euro, përfshijnë mbështetje për inpute bujqësore, formalizimin e tregut të mishit, kompensimin e dëmeve dhe ndërhyrje për stabilizimin e çmimeve.
Ministri Muja ka deklaruar se kjo kornizë përfaqëson një qasje zhvillimore afatgjatë dhe jo vetëm subvencionuese për sektorin e bujqësisë.
“Kjo kornizë programore është një ndërhyrje e menduar mirë për të mbështetur fermerët sot dhe për të ndërtuar një sektor bujqësor modern për nesër”, është shprehur Muja.
Sipas ministrisë, programi synon rritjen e prodhimit vendor, uljen e varësisë nga importet dhe forcimin e zinxhirit të vlerës nga ferma deri në treg, duke vendosur bazat për një bujqësi më produktive dhe më të qëndrueshme në Kosovë. /Lajmi.net/