Meta ka nisur një nismë të re që përfshin monitorimin e detajuar të aktivitetit të punonjësve, duke gjurmuar klikimet e mausit, shtypjet në tastierë dhe madje duke marrë pamje nga ekranet e tyre.
Sipas një memorandumi të brendshëm, mjeti i quajtur “Model Capability Initiative” (MCI) synon të mbledhë të dhëna nga përdorimi i përditshëm i kompjuterëve, për t’i përdorur në trajnimin e modeleve të inteligjencës artificiale.
Qëllimi është që sistemet e AI të mësojnë mënyrën se si njerëzit ndërveprojnë me kompjuterët – si përdorimi i menuve, klikimet apo komandat e tastierës – në mënyrë që të automatizojnë më mirë këto procese.

Megjithatë, kjo qasje ka ngritur shqetësime serioze mes punonjësve. Disa prej tyre e kanë cilësuar këtë praktikë si “dystopike”, duke shprehur frikën se të dhënat e mbledhura mund të përdoren për të zhvilluar sisteme që në të ardhmen mund t’i zëvendësojnë.
Drejtuesi i teknologjisë në kompani, Andrew Bosworth, ka deklaruar se vizioni afatgjatë është që agjentët e AI të kryejnë pjesën më të madhe të punës, ndërsa roli i njerëzve të mbetet në drejtim dhe mbikëqyrje.
Nga ana tjetër, kompania thekson se të dhënat e mbledhura nuk do të përdoren për vlerësimin e performancës së punonjësve dhe se ekzistojnë masa për mbrojtjen e përmbajtjes sensitive.

Megjithatë, organizata të pavarura kanë paralajmëruar për rritjen e mbikëqyrjes në vendin e punës, duke theksuar se çdo formë monitorimi duhet të jetë e kufizuar dhe proporcionale.
Ky zhvillim vjen në një kohë kur Meta po investon masivisht në inteligjencën artificiale, duke planifikuar shpenzime të mëdha dhe duke synuar integrimin e saj në të gjitha sistemet e kompanisë.
Në të njëjtën kohë, raportimet për shkurtime të vendeve të punës dhe ristrukturime kanë shtuar pasiguritë, duke bërë që shumë punonjës ta shohin këtë nismë si pjesë të një transformimi më të gjerë të tregut të punës në epokën e AI. /GazetaExpress/