Skuadra e KV Ferizaj ka siguruar një vend në finalen e play-off-it në Superliga A të Kosovës për meshkuj, pasi triumfoi 3-1 ndaj KV Drita në ndeshjen e tretë dhe vendimtare të gjysmëfinales.
Takimi nisi i barabartë, me të dyja skuadrat që ndanë nga një set në fillim. Ferizaj fitoi setin e parë 25:22, ndërsa Drita reagoi duke barazuar me 19:25 në setin e dytë.
Megjithatë, në vazhdim ndeshja mori drejtim të qartë. Ferizaj dominoi plotësisht setin e tretë me rezultat 25:16 dhe më pas administroi me qetësi epërsinë në setin e katërt, duke e mbyllur atë 25:18 dhe krejt takimin me rezultat 3-1.
Me këtë fitore, Ferizaj vulos kualifikimin në finale dhe tashmë pret të mësojë kundërshtarin, i cili do të dalë nga përballja gjysmëfinale mes KV Peja dhe KV Luboteni.
Finalja pritet të sjellë spektakël dhe rivalitet të madh, teksa Ferizaj synon titullin kampion.