Policia e Kosovës, me njësitet e saj nga Policia Kufitare sot gjatë implementimit të Planit Operativ “Gatishmëria Vepruese 2026”, pas sigurimit të informatave operative dhe përcjelljes përmes mjeteve teknike të vëzhgimit, ka arritur të identifikojë dhe ndalojë një rast të dyshuar të kontrabandimit me mallra në fshatin Hodonovc, komuna e Kamenicës.
Pas pranimit të informatave dhe vërejtjes së aktivitetit të dyshimtë në terren, njësitet patrulluese kanë reaguar menjëherë duke ndërmarrë veprime operative. Si rezultat, është ndaluar një mjet bujqësor (traktor), i cili dyshohet se kishte hyrë ilegalisht nga territori i Serbisë, në Republikën e Kosovës.
Pas përcjelljes së vazhdueshme, traktori është ndaluar në fshatin Hodonovc, ku në cilësi të të dyshuarit është intervistuar vozitësi i mjetit, personi L.H (1968).
Gjatë kontrollit të mjetit janë gjetur dhe sekuestruar mallra të dyshuara si të kontrabanduara, konkretisht pjesë për mjete bujqësore-traktorë në vlerën mbi 5 mijë euro.
Të gjitha veprimet janë ndërmarrë në koordinim dhe me urdhër të prokurorit kompetent. Rasti është duke u trajtuar dhe hetuar edhe më tej nga njësitet përkatëse të Policisë Kufitare.
“Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në luftimin e të gjitha formave të kontrabandës dhe aktiviteteve ilegale, me qëllim të garantimit të rendit dhe ligjit, si dhe sigurisë së qytetarëve në territorin e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e policisë./Indeksonline/
