Ambasadori i Iranit, Reza Amiri Moghadam, u takua të mërkurën në Islamabad me kryeministrin e Pakistanit, Shehbaz Sharif, vetëm disa orë pasi Shtëpia e Bardhë pranoi zgjatjen e një armëpushimi të brishtë me Teheranin.
Moghadam u takua me Sharif “për të diskutuar situatën aktuale rajonale dhe përpjekjet për paqe”, thuhet në njoftimin e zyrës së kryeministrit pakistanez, raporton CNN.
Të martën mbrëma, Sharif e falënderoi presidentin amerikan Donald Trump për “pranimin bujar” të kërkesës, duke shtuar se Islamabad do të vazhdojë “përpjekjet e sinqerta për një zgjidhje të negociuar të konfliktit”.
Islamabadi është shfaqur si ndërmjetës mes SHBA-së dhe Iranit, pas përshkallëzimit të dhunës së nxitur nga sulmi SHBA-Izrael, duke përcjellë mesazhe dhe organizuar bisedime për të nxitur dialog mes palëve.
Trump ka pranuar të shtyjë një sulm ndaj Iranit “me kërkesë të Field Marshal Asim Munir dhe kryeministrit Shehbaz Sharif të Pakistanit”, deri sa Teherani të paraqesë “një propozim të unifikuar”, thuhet në një postim të tij në rrjete sociale.
Ende nuk dihet nëse do të ketë një raund të ri bisedimesh. Irani nuk e ka konfirmuar pjesëmarrjen në negociatat e paqes me SHBA-në këtë javë, kanë thënë zyrtarë pakistanezë. Po ashtu, një vizitë e planifikuar e zëvendëspresidentit amerikan JD Vance në Islamabad për të udhëhequr bisedimet është anuluar përkohësisht, sipas një zyrtari të Shtëpisë së Bardhë.
I pyetur për negociatat e reja, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmail Baghaei, tha se “diplomacia është një mjet për të siguruar interesat dhe sigurinë kombëtare”.
Teherani “do të veprojë” kur “të krijohen kushtet e nevojshme dhe logjike për të përdorur këtë mjet për realizimin e interesave kombëtare dhe konsolidimin e arritjeve të popullit iranian”, tha ai të mërkurën.