Është thellësisht e pabesueshme që NATO do të ndërhynte në këtë konflikt në favor të UÇK-së, nëse shërbimet e saj të mirëinformuara të inteligjencës, do t’i kishin cilësuar krerët e saj si anëtarë të një organizate kriminale
Shkruan Daan Everts
Në Scheveningen të Hagës ndodhet një burg famëkeq: “Oranjehotel”. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, luftëtarët e rezistencës holandeze i mbyllnin këtu, shpesh në pritje të ekzekutimit të tyre.
Sot, ai është kthyer në një muze që nderon heronjtë e rezistencës. Në po këtë kompleks ndërtesash – një pjesë e të cilit nuk strehon më të burgosur të zakonshëm – katër luftëtarë të rezistencës nga Kosova po mbahen në paraburgim prej pesë vitesh e gjysmë: dy vjet e gjysmë prej tyre në fazën paraprake. Jo si heronj të rezistencës, siç vlerësohen gjerësisht në Kosovë, por si të pandehur për “krime lufte”, “krime kundër njerëzimit” dhe “pjesëmarrje në ndërmarrje të përbashkët kriminale”.
Çfarë ironie therëse!
Këta katër të burgosur nuk janë kushdo: bëhet fjalë për një ish-Kryeministër dhe President, dy ish-kryeparlamentarë, si dhe një ish-deputet/kryetar i grupit parlamentar. Të katërt ishin krerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), e cila synonte t’i jepte fund regjimit të aparteidit serb në Kosovë gjatë viteve ’90.
Ata zgjodhën luftën guerile pasi negociatat për një vetëqeverisje të gjerë – autonominë që Millosheviçi ia kishte hequr Kosovës – rezultuan të pafrytshme. Ndonëse e pranuan me hezitim Marrëveshjen e Rambujesë, të ndërmjetësuar nga Perëndimi në mars të vitit 1999, lufta u përshkallëzua në një luftë të përmasave të gjera kur qeveria serbe nën udhëheqjen e Millosheviqit refuzoi ta nënshkruante atë. Ashtu si në luftërat e tjera gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë, serbët edhe një herë e humbën mundësinë për një zgjidhje pozitive.
Ajo luftë e përgjakshme pati epilogun e saj juridik në Hagë përmes të ashtuquajturit Tribunal i Hagës për Ish-Jugosllavinë, i cili gjykoi krimet e luftës. Në Serbi, dhe jo krejtësisht pa arsye, kjo gjykatë u akuzua për anshmëri anti-serbe. Kështu, kur senatori zviceran i Këshillit të Evropës, Dick Marty, publikoi një raport në vitin 2011 ku akuzonte krerët e UÇK-së për asgjë më pak se trafikim të organeve të të burgosurve serbë, Rusia dhe Serbia nxituan të kërkonin procedura të veçanta juridike kundër shqiptarëve të Kosovës.
Kjo akuzë ishte shpërndarë fillimisht nga Carla del Ponte e Tribunalit të Jugosllavisë dhe më vonë u përsërit nga Clint Williamson, pa ofruar asnjë provë konkrete. Nën një presion të jashtëzakonshëm ndërkombëtar dhe me insistimin në vend nga ana e zëvendëskryeministrit të atëhershëm Thaçi – tashmë një nga katër të pandehurit – Kosova e pavarur ra dakord për themelimin e Gjykatës Speciale në vitin 2015.
Ndonëse ligjërisht u bë pjesë e sistemit juridik kosovar, ajo u vendos në Hagë si një institucion ndërkombëtar plotësisht i pavarur, me epërsi mbi të gjitha institucionet vendore të drejtësisë.
Gjykata financohet kryesisht nga BE-ja dhe vendet e asociuara, por çuditërisht drejtohet pothuajse tërësisht nga amerikanët.
Kryeprokurori është gjithmonë amerikan, ashtu si edhe kryetari i trupit gjykues, si dhe avokatët mbrojtës të të pandehurve. Drejtësia amerikane në aksion në rrugën “Raamweg” në Hagë!
Kur u publikua aktakuza përfundimtare në tetor të vitit 2020, u bë e qartë se arsyeja fillestare dhe kryesore për krijimin e kësaj gjykate – pretendimi fantazmë për trafikim organesh – nuk ekzistonte më aty. Akuzat e tjera, si ato që u përmendën më lart, duhej tani të justifikonin vetë ekzistencën e saj.
Ka edhe arsye më banale që kontribuojnë në këtë jetëgjatësi të tribunalit: qindra vende pune mjaft të lakmuara dhe shpesh të liruara nga taksat, miliona euro të investuara pa llogaridhënie, si dhe indiferenca ndërkombëtare ndaj këtij procesi dhe fatit të katër kosovarëve – veçanërisht tani që vëmendja e botës është përqendruar te krime lufte shumë më të mëdha, në rajone shumë më të rëndësishme globale.
Prokuroria tani ka bërë të ditur kërkesën e saj për dënim: 45 vjet burg. Për të akuzuarit, kjo praktikisht nënkupton burgim të përjetshëm, duke qenë se të gjithë janë mbi moshën 50-vjeçare. Ajo që e bën edhe më absurde situatën është fakti se të ashtuquajturit komandantë të zonave të UÇK-së, të cilët ishin shumë më afër akteve të rezistencës në zonat e luftës, janë shpallur të pafajshëm, në të kaluarën, për akuza të ngjashme nga Tribunali i Jugosllavisë.
Siç e kam parë dhe përjetuar nga afër, UÇK-ja ishte tejet e decentralizuar, për të mos thënë një organizim mjaft i shkëputur dhe i çrregullt. Grupet lokale të rezistencës vepronin thuajse të pavarura dhe nuk i bindeshin shumë udhëheqjes së lartë.
Është e vështirë të kuptohet se si udhëheqja qendrore mund të akuzohet për përfshirje në aktivitetet lokale guerile, të cilat padyshim kanë përfshirë edhe akte hakmarrjeje me pasoja fatale. Ish-presidenti Thaçi, për shembull, e kaloi pothuajse të gjithë kohën e luftës jashtë vendit.
Gjithashtu, është thellësisht e pabesueshme që NATO do të ndërhynte në këtë konflikt në favor të UÇK-së, nëse shërbimet e saj të mirëinformuara të inteligjencës, do t’i kishin cilësuar krerët e saj si anëtarë të një organizate kriminale. Dëshmitarë të ndryshëm nga qarqet më të larta ushtarake dhe diplomatike, përfshirë edhe ish-Komandantin Suprem të NATO-s në atë kohë, kanë konfirmuar gjatë javëve të fundit mungesën e një vije komanduese të mirëfilltë midis lidershipit formal të UÇK-së dhe grupeve lokale të rezistencës.
Duke e parë këtë nga një pikëpamje e gjerë, kam frikë se ky proces gjyqësor i dyshimtë nuk po i bën nder aspak drejtësisë ndërkombëtare.
Autori i këtij shkrimi, Daan Everts, ka shërbyer si Shef i Misionit të OSBE-së në Shqipëri gjatë luftës në Kosovës dhe Shef i Misionit të OSBE-së në Kosovës menjëherë pas luftës.
Opinioni është dërguar për herë të parë për botim tek redaksia e VOX Kosova.