Kompania KESCO i ka dorëzuar ZRRE-së një kërkesë për rritjen e tarifave të energjisë elektrike me 21.4% për vitin 2026.
Sipas arsyetimit të KESCO-s, kërkesa bazohet në vlerësimin e kostove të pritshme, duke përfshirë furnizimin e konsumatorëve në shërbim universal, ndikimin e importit, rritjen e sigurisë së furnizimit gjatë dimrit, si dhe mbulimin e kostove operative dhe të rrjetit, raporton lajmi.net
Kompania thekson se nënvlerësimi i këtyre kostove rrezikon furnizimin e qëndrueshëm.
Sipas aplikimit për të hyrat maksimale, pas marrjes në konsideratë të shpenzimeve të pritshme, kërkesa e Furnizuesit të Shërbimit Universal (FSHU) për të hyrat e lejuara maksimale për vitin 2026 arrin në 528.78 milionë euro.
Për krahasim, të hyrat e lejuara për vitin 2025 kanë qenë rreth 435 milionë euro – të cilat ishin aprovuar nga ZRRE-ja.
Në rast se ZRRE-ja aprovon edhe këtë herë kërkesën e KESCO-s, atëherë do të jetë hera e tretë në katër vjetët e fundit që rritet çmimi i rrymës.
Për kilovatët e shpenzuar mbi tarifën e bllokut prej 800 kilovatësh, çmimi është 15.43 centë gjatë ditës dhe 7.28 centë natën.
ZRRE pritet ta shqyrtojë kërkesën dhe të vendosë nëse do ta miratojë apo jo rritjen e çmimit.
Ndërkaq, Lajmi.net u ka dërguar email edhe ZRRE-së dhe KESCO-s për të marr një sqarim zyrtarë, por deri në publikimin e artikullit nuk kemi pranuar informacione./Lajmi.net/