back to top
Thursday, September 25, 2025
BallinaLajmeEkstradohet oligarku moldavian Vladimir Plahotniuc, disa ditë para zgjedhjeve vendimtare

Ekstradohet oligarku moldavian Vladimir Plahotniuc, disa ditë para zgjedhjeve vendimtare

Të ngjajshme

‘Kemajli’ reagon pas lajmeve për ndarje

U pretendua se Burak Özçivit i njohur me rolin...

Ekonomia në Zvicër po rritet më ngadalë sesa pritej

Prodhimi ekonomik pritet të rritet me 0.9 për qind...

Rusia mohon përfshirjen në incidendet me dronë në aeroportet e Danimarkës

Ambasada ruse ka mohuar çdo përfshirje në incidentet me...

Oligarku moldavian, Vladimir Plahotniuc, është ekstraduar në Kishinjev për t’u përballur me akuza të kamotshme penale, duke e tronditur vendin vetëm disa ditë para një zgjedhjeje të përgjithshme të tensionuar, të cilat tashmë janë trazuar nga dyshimet për ndërhyrje nga Rusia.

Plahotniuc, i cili është përfshirë në një rast mashtrimi bankar para një dekade, i njohur si “vjedhja e shekullit”, arriti në kryeqytetin moldavian më 25 shtator pas ekstradimit nga Greqia, ku ishte mbajtur që nga korriku.

Plahotniuc është i dyshuari kryesor në një hetim të gjatë për zhdukjen e rreth 1 miliard dollarëve nga bankat në këtë republikë të vogël dhe të varfër ish-sovjetike në vitin 2014.

Shuma, e quajtur “vjedhja e shekullit”, vlerësohej se përbënte rreth 12 për qind të produktit të brendshëm bruto të vendit.

Plahotniuc ka luftuar kundër akuzave për vite me radhë. Ai pritet të dalë për herë të parë para një gjykate në Kishinjev më 26 shtator.

Mbërritja e tij në Moldavi vjen ndërsa vendi po përgatitet për zgjedhjet parlamentare të planifikuara për 28 shtator, të cilat do të përcaktojnë nëse vendi do të afrohet më shumë me Bashkimin Evropian apo nëse do të zhytet më thellë në orbitën politike të Rusisë.

Presidentja Maia Sandu dhe Partia e saj proevropiane e Veprimit dhe Solidaritetit po përpiqen ta ruajnë shumicën e tyre në Parlament, përballë një përpjekjeje të fuqishme nga një bllok politik i udhëhequr nga ish-presidenti Igor Dodon, i cili ka mbajtur lidhje të ngushta me Moskën.

Dodon e ka quajtur Qeverinë e tanishme, e zgjedhur në mënyrë demokratike, “regjim kriminal”.

Në një fjalim këtë javë, Sandu paralajmëroi se pavarësia e vendit dhe e ardhmja me Evropën janë në rrezik, teksa akuzoi Kremlinin se po “derdh qindra miliona euro” në vend për të përhapur dezinformim.

Po ashtu këtë javë, policia moldaviane tha se kishte konfiskuar armë dhe eksplozivë nëpër vend dhe kishte arrestuar 74 njerëz, duke i akuzuar për përfshirje në një komplot për të nxitur trazira.

Disa nga të arrestuarit raportohet se kishin udhëtuar në Serbi për trajnim nga instruktorë rusë, duke përfshirë përdorimin e armëve.

Edhe pse akuzat për vjedhje bankash e kanë ndjekur Plahotniucin për vite me radhë, ai ka shërbyer disa herë në Parlament si anëtar i Partisë Demokratike.

Në vitin 2019, ai u largua vendi, pak para se të merrte një thirrje nga prokurorët moldavianë.

Ai kaloi muaj duke jetuar qetësisht në Shtetet e Bashkuara dhe aplikoi për azil politik, sipas një padie që ai dorëzoi në një gjykatë federale amerikane. Kërkesa për azil nuk iu pranua.

Në janar 2020, viza e tij amerikane u revokua pasi sekretari i atëhershëm i Shtetit, Mike Pompeo, deklaroi se “veprimet e tij të korruptuara minuan sundimin e ligjit dhe komprometuan rëndë pavarësinë e institucioneve demokratike në Moldavi”.

Ai jetonte në Miami, Florida, në atë kohë. /REL

- Advertisement -

Të Fundit

Sport

ShowBiz