James Rubin, ish-zyrtar i lartë amerikan dhe dëshmitar i mbrojtjes në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit në Hagë, ka rrëfyer një bisedë telefonike të zhvilluar gjatë luftës në Kosovë ndërmjet ish-Presidentit të ShBA-së, Bill Clinton, dhe liderit të atëhershëm të UÇK-së, Hashim Thaçi.
Sipas Rubin, biseda kishte ndodhur në kohën kur po zhvilloheshin bombardimet e NATO-s dhe situata në Kosovë ishte tepër e tensionuar. Thaçi, sipas tij, kishte dhënë një mesazh të qartë për paqe dhe shmangie të hakmarrjes kundër pakicës serbe në Kosovë, transmeton lajmi.net.
“Thaçi kishte thënë të gjitha gjërat e duhura gjatë bisedës me Presidentin Clinton. Ishte mbresëlënëse që, në një ambient lufte, pa ndonjë përgatitje paraprake, ai dërgoi mesazhe të qarta dhe pozitive. Kjo bëri përshtypje të mirë te Presidenti amerikan”, deklaroi Rubin.
Rubin theksoi se një prej mesazheve kyçe të Thaçit në atë telefonatë ishte zotimi se nuk do të kishte dhunë hakmarrëse ndaj komunitetit serb pas luftës, një qëndrim që, sipas tij, kishte lënë përshtypje të thellë te Clinton dhe ishte raportuar menjëherë edhe tek këshilltari i tij për siguri kombëtare.
“Clinton kishte përshtypje të mirë dhe ia kishte thënë shefit të sigurisë kombëtare. Ai e vlerësoi lartë faktin që një lider i UÇK-së, në kushte lufte, mbante një qëndrim të tillë paqësor”, shtoi Rubin.
Ai gjithashtu theksoi se pas asaj bisede, kishte bërë çmos që Hashim Thaçi të mbahej për fjale për zotimin që i kishte dhënë presidentit amerikan./lajmi.net/