back to top
Friday, September 12, 2025
BallinaOpinioneRivendosja e marrëdhënieve mes Kosovës dhe SHBA-së

Rivendosja e marrëdhënieve mes Kosovës dhe SHBA-së

Të ngjajshme

Në 4–5 vitet e fundit, marrëdhëniet e Kosovës me SHBA-në kanë arritur pikën më të ulët në historinë e saj moderne. Si mund të hapë qeveria e ardhshme një epokë të re të dialogut aktiv dhe strategjik?

Shkruan: Petrit Selimi

Ky shkrim është botuar të mërkuren në platformen botuese Substack në gjuhen angleze, por ja qe me vendimin e sotshëm të Qeverisë amerikane për pezullimin e marrëdhënieve strategjike me Kosovën, fatkeqësisht u bë edhe më aktual.

1)           SHBA është “partneri i pazëvendësueshëm” i Kosovës, por një partner këshillat e të cilit kemi vendosur t’i shpërfillim.

Për dekada, Kosova ka qenë e lidhur me SHBA-në përmes ndërveprimeve të thella politike që nisën në vitet ’80, gjatë viteve të fundit të ish-Jugosllavisë, dhe më pas kulmuan mes viteve 1998–2008, kur SHBA ishte njëkohësisht shpëtimtare e Kosovës nga synimi gjenocidal i regjimit serb dhe garantuese e lirisë e pavarësisë së Kosovës përmes procesit të Ahtisaarit, që solli sovranitetin dhe pavarësinë e vendit. Nuk është rastësi që bulevardi “George W. Bush” në Prishtinë lidhet me bulevardin “Bill Clinton”, i cila kryqëzohet me rrugën “Senator Bob Dole” dhe vijëzon drejt sheshit “Madeleine Albright”.

Në vitet pasuese, dialogu dypalësh mes një Kosove të sapo-pavarësuar dhe SHBA-së u zhvendos nga çështjet e mbijetesës fizike tek marrëdhënie më të strukturuara e strategjike, duke marrë formë në katër fusha të dallueshme:

–              Bashkëpunimi diplomatik ishte i thellë dhe i suksesshëm, duke mundësuar që Kosova të njihej nga shtete të tjera dhe të anëtarësohej në institucione si FMN-ja dhe Banka Botërore apo edhe Komiteti Olimpik. Komunikimi diplomatik ishte intensiv në të gjitha nivelet, nga vizitat e nivelit të lartë në Shtëpinë e Bardhë, deri te kontakti i përditshëm me Ambasadën Amerikane dhe Zyrën e Kosovës në Departamentin e Shtetit – mbi çështje që varionin nga angazhimet e SHBA-së në emër të Kosovës në Karaibe, Amerikën e Jugut ose Afrikën Perëndimore, e deri tek sigurimi i votave për anëtarësimin në BERZH apo marrja e kodit bankar SWIFT për Kosovën.

–              Bashkëpunimi ekonomik nisi të lulëzonte, duke mundësuar përfshirjen e korporatave të mëdha si Bechtel në ndërtimin e autostradave kryesore të Kosovës, nisjen e negociatave për ndërtimin e një termocentrali të ri me një kompani amerikane dhe përfshirjen e Kosovës në programet e agjencisë federale amerikane Millennium Challenge Corporation, duke hapur kështu mundësinë për qindra milionë investime të mundshme në sektorin e energjisë. Sektori privat nisi të luajë rolin e tij, me kompanitë kosovare që rritën eksportet në SHBA, ndërsa kompani amerikane filluan të transferonin shërbimet digjitale në Kosovë.

–              Bashkëpunimi në mbrojtje dhe inteligjencë u ngrit mbi baza të forta. SHBA ndihmoi në ngritjen e një shërbimi modern të inteligjencës në Kosovë dhe në draftimin dhe implementimin e strategjisë për transformimin e trupave të mbrojtjes civile në një forcë të mirëfilltë ushtarake mbrojtëse. Shumë operacione të përbashkëta u realizuan për të përballuar sfida globale si rritja e ekstremizmit islamik dhe terrorizmit, si dhe për të luftuar ndikimin rus. Shembull: roli i shërbimit të inteligjencës së Kosovës në parandalimin e një sulmi mbi ekipin kombëtar të futbollit të Izraelit në Shqipërinë fqinje u vlerësua lart në SHBA më 2016.

–              Pas mendimit këshillimor të GJND-së mbi ligjshmërinë e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës dhe rezolutës pasuese të AP të OKB-së për nisjen e dialogut të normalizimit mes Kosovës e Serbisë, SHBA luajti një rol themelor në arritjen si të Marrëveshjes së parë të Brukselit, ashtu edhe të Marrëveshjes së Uashingtonit. Kosova dhe SHBA koordinuan ngushtë mbi të gjitha aspektet — sidomos mbi ruajtjen e kornizës së Ahtisaarit dhe Kushtetutës, ndërkohë që mundësonin integrimin e pakicës serbe.

Nën ish-kryeministrin Kurti, Kosova ka reduktuar në mënyrë drastike marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara, duke sjellë tensione të paparë ndonjëherë mes Kosovës dhe dy administratave të njëpasnjëshme amerikane. Diplomatë të lartë amerikanë në Uashington dhe rajon filluan të vënë në dyshim gatishmërinë e Kosovës për të mbetur një partnere e vërtetë. Prania jonë diplomatike në SHBA filloi të tkurret, si për shkak të hapave konkretë (siç ishte degradimi i qëllimshëm i ndikimit të Ambasadës së Kosovës në Uashington nga qeveria e Prishtinës) ashtu edhe për shkak të gënjeshtrave të hapura dhe premtimeve të thyera ndaj bashkëbiseduesve amerikanë, nga diplomatët në Prishtinë e deri te Drejtori i CIA-s dhe senatorë vizitorë amerikanë. Kosova tani po përjeton marrëdhëniet më të këqija me Shtetet e Bashkuara në historinë e saj moderne.

2)           Qasje e re, aktorë të rinj, gjithçka e re.

Qeveria amerikane ka deklaruar vazhdimisht interesin e saj kombëtar në rajonin tonë: një Kosovë dhe një Ballkan paqësor, të integruar në komunitetin evropian e atlantik. Ky interes kombëtar amerikan, i përsëritush shpesh, implementohet përmes proceseve dhe mjeteve të ndryshme: nga ndihmat zhvillimore bilaterale, te mbështetja për dialogun, e deri te rritja e bashkëpunimit ekonomik e ushtarak.

Por kjo kërkon një partner të përgjegjshëm dhe reagues në Kosovë: një të aftë jo vetëm për të rikthyer marrëdhëniet në nivelin e mëparshëm, por edhe për t’i zgjeruar ato në fusha të reja si sektori i energjisë, inteligjenca artificiale, siguria kibernetike, teknologjitë e gjelbra dhe infrastruktura rajonale, duke krijuar një partneritet më të thellë dhe të orientuar drejt së ardhmes që i shërben të dyja palëve. Investime tona serioze politike në ruajtjen e kornizës prezente kushtetuese të Kosovës, përfshirë detyrimet që i kanë marrë qeveritë e njëpasnjëshme kosovare ndaj minoritetit serb, janë thelbësore për të hapur rrugën drejt një angazhimi proaktiv të SHBA-së në emër të Kosovës.

Është e vështirë të paramendojmë këtë zhvillim pozitiv nën drejtimin e kryeministrit në largim Kurti. Ai ka plane të tjera – të përqendruara në çmontimin e trashëgimisë së Ahtisaarit dhe formësimin e “Republikës së Tretë” – dhe për këto synime ka qenë i qartë konsistent dhe kategorik në qasjen e tij. Veprimet e tij poashtu kanë qenë të fokusuara në zvogëlimin e rolit që luan SHBA në Kosovë, pasi e konsideron këtë ndikim të dëmshëm për vizionin e tij politik.

Pyetja e vetme është nëse partitë politike të Kosovës do të gjejnë vullnetin dhe forcën për të rivendosur marrëdhëniet me SHBA-në, gjë që do të kërkojë një ripozicionim politik edhe brenda vetë Kosovës.

Kjo kërkon guxim, një cilësi që mungon ndjeshëm tek gjenerata e re e politikanëve të opozitës. Megjithatë guximi duhet të gjendet. Kosova duhet njëkohësisht të ndërmarrë hapa brenda vendit për të krijuar stabilitet e progres, si dhe të zbatojë masa, projekte e procese që kanë vlerë për peizazhin e ri politik amerikan, aty ku kujtimet e 1999-s apo 2008-s po zbehen, por ku mund të shfaqen mundësi të reja për të forcuar partneritetin me një aleat me të vërtetë të pazëvendësueshëm.

Autori është Fellow jo-rezident në Qendrën për Diplomaci Publike në Universitetin e Kalifornisë Jugore dhe ish-ministër i jashtëm i Kosovës. Shkrimi origjinal në anglisht u botua më 10 shtator.

- Advertisement -

Të Fundit

Sport

ShowBiz