Policia e Tepelenës ka finalizuar një operacion për zbardhjen e disa vjedhjeve të ndodhura muajt e fundit në qytetet e Memaliajt dhe Përmetit, duke arrestuar një 67-vjeçare dhe shpallur në kërkim të birin, 36 vjeç.
Në pranga ka rënë Z. U., 67 vjeçe, banuese në Belsh, ndërsa është shpallur në kërkim L. U., 36 vjeç, banues në të njëjtin qytet. Sipas hetimeve, nënë e bir vepronin së bashku, duke vëzhguar banesa, lokale dhe objekte kulti, ku më pas kryenin vjedhje gjatë orëve të vona të natës, përmes përdorimit të mjeteve të forta si kaçavidë dhe leva.
Policia ka dokumentuar 6 raste vjedhjeje të ndodhura nga muaji maj deri në shtator:
04.05.2025, Vasjar, Memaliaj – u vodhën bizhuteri floriri dhe para nga banesa e shtetasit P. Ll.
10.07.2025, Krahës – u vodh një shumë parash nga një objekt kulti.
07.08.2025, Sukë, Përmet – një tjetër objekt kulti u grabit.
23.08.2025, Petran, Përmet – u vodhën para nga një lokal në pronësi të shtetasit A. L.
04.09.2025, Memaliaj – u grabitën një lokal dhe një objekt kulti.
Gjatë operacionit janë sekuestruar një automjet, një telefon celular dhe sendet e përdorura për vjedhje.
Policia e Tepelenës dhe ajo e Memaliajt, në bashkëpunim me strukturat hetimore, po punojnë për kapjen e 36-vjeçarit dhe për zbardhjen e rasteve të tjera që dyshohet se janë kryer nga të njëjtët autorë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme për veprën penale “Vjedhja”, e kryer në bashkëpunim.