BallinaRegjionaleDrenasPërkujtohet 24 vjetori i Betejës së Likoshanit dhe Qirezit

Përkujtohet 24 vjetori i Betejës së Likoshanit dhe Qirezit

Më rastin e shënimit të 24 vjetorit të Betejës së Likoshanit dhe Qirezit, kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci me stafin e tij, të shoqëruar nga kryetari i Komunës së Skenderajt Fadil Nura, kryetari i PDK-së Memli Krasniqi, nënkryetarja Vlora Çitaku, bashkë me deputetë të tjerë nga radhët e kësaj partie, shumë qytetarë nga dy komunat dhe familjar, kanë bërë homazhe dhe kanë vendosur buqeta me lule të freskëta në kompleksin e varrezave “Dëshmorët e Qyqavicës” në Likoshan, për dëshmorët e martirët e rënë në këtë betejë.

Pas homazheve në varrezat e “Qyqavicës”, vizitat kanë vazhduar edhe në familjet e të vrarëve në Likoshan e Qirez.

Ramiz Lladrovci: “Rezistenca e popullit tonë, gjatë decenieve me demonstrata masive dhe grupet e organizuara, në fund të shekullit të shkuar ngritën nivelin e gatishmërisë së ballafaqimit me luftë të armatosur duke themeluar dhe organizuar radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Qirezi e Likoshani bëhen vatrat e para ku fytyra e vërtetë e okupatorit do të shfaqej me tërë barbarinë e vet. Këto masakra, bashkuan dhe ngritën bijtë e bijat më të mira të kombit, të përgatiteshin për luftën përfundimtare, deri në çlirimin e Kosovës.
Rruga e lirisë, ishte rrugë e gjatë. Qirezi e Likoshani, me martirët e saj u bënë sinonim për fillimin e lirisë së pandalshme për Kosovën”, tha kryetari Lladrovci.

Fadil Nura: “Sot, në nderim të kujtimit të paharruar për dëshmorët dhe martirët e Çirezit dhe Likoshanit, si dhe Betejës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si pikënisje e zgjimit popullor kundrejt shtypjes së egër serbe, që pasuan ngjarjet tjera historike, përkujtojmë 24 vjetorin e rënies heroike të dëshmorëve dhe martirëve të fshatrave rrezë Qyqavicës, sakrifica e të cilëve solli lirinë dhe pavarësinë e vendit. Është detyrë e të gjithëve t’i nderojmë dhe t’i lartësojmë veprat e heronjve dhe të gjithë të tjerëve që ranë në mbrojtje të nderit e kombit”, ka thënë kryetari Nura.

- Advertisement -