Ka dalë para trupës gjykuese dhe ka pranuar autorësinë e vrasjes së dyfishtë dy ditë më parë.
Martin Skëndaj, 22 vjeçar, gardian në burgun e Fierit është njohur me masën e sigurisë të “arrestit me burg”, për vrasjen e dy të kushërinjve, Elis Kapaj dhe Manol Rrapaj, 22 dhe 26 vjeç, bashkëfshatarë të tij, të cilët i qëlloi me armën e shërbimit në poliklinikën e Patosit, ku kishte shkuar të vizitonte krahun.
Masën e sigurisë e vendosi gjyqtarja Adelina Zarka ndërsa prokurore ishte Çlirim Sina.
Skëndaj ka hyrë në gjykatë duke qarë.
Me kokën poshtë në seancë, mësohet se ai ka thënë vetëm “e bëra” e më pas nuk ka folur më.
Ngjarja e rëndë e ndodhur dy ditë më parë, dyshohet të ketë shkak një marrëdhënie dashuri të cilën gardiani nuk e pranonte.
Njëri nga viktimat, Elis Kapaj nga Kuqari i njëjti fshat me Skëndajn, ishte i lidhur me motrën e rojes së burgut, e divorcuar dhe më fëmijë. Konflikti mes tyre kishte nisur një vit më parë, nga momenti i divorcit të motrës, por mesa duket lidhja që gardiani kundërshtonte, ende nuk kishte përfunduar.
Sherrin e kanë nisur dy kushërinjtë, sipas hetimeve paraprake, të cilët dyshohet ta kenë dhunuar me leva e sende të forta kur e kanë parë Skëndajn në Poliklinikë.
Pas vizitës nga mjekët, Martin Skëndaj ka dalë, por sërish kushërinjtë nga fshati Kuqari dhe Kashisht, e kanë qëlluar, çka ka bërë që gardiani i burgut të Fierit të nxjerrë armën e shërbimit dhe t’i qëllojë. Njëri gjeti vdekjen në vend, ndërsa tjetri ndërroi jetë në spitalin e Fierit.