Një ndër momentet më brilante të Albin Kurtit në Parlamentin e Kosovës ka qenë kur diskutohej për Gjykatën Speciale. Ato kohë, me komoditetin e opozitarit ai u premtoi të kërcënuarve nga Gjykata Speciale se kur Lëvizja Vetëvendosje! të vijë në pushtet ajo nuk do t’i dorëzojë ata te Gjykata Speciale në Hagë.
Me një interpretim të shkëlqyer aktorial, Albini iu drejtua Kryeministrit :
“Thaçi po e lejon Tribunalin pasiqë mendon se ai vetë nuk ka me përfundue aty. Nëse një mik ndërkombëtrar mund t’i ndihmojë Kosovës do t’a bënte këtë duke i treguar Hashim Thaçit se edhe ai vetë do të përfundojë aty. Se po t’i thuhet Kryeministrit të Kosovës që edhe ky vetë përfundon aty, s’ka tribunal! Por shpresa e këtij që ky vetë s’përfundon por shokët e tij shkojnë, e bën të thotë: E kemi njëfarë sfide të madhe që duhet t’I përgjigjemi”
Shumë nga ne që e kemi dëgjuar atëherë kemi menduar se çdo fjalë e Albinit ishte e vërtetë. Me përjashtim të premtimit të tij që Vetvendosje! nuk do t’i dorëzojë kur të vijë në pushtet. Gjithë dyshimi historik që kemi pasë për Albin Kurtin dhe Lëvizjen VV ka qenë sa e zonja do jetë të bëjë ato që thotë. A ka mundësi një vend i vogël, i varfër e i pazhvilluar e mbi të gjitha i çliruar nga fuqitë ndërkombëtare t’i refuzojë ato? A është Vetvendosja! një radikalizim i qëndrimeve, një injorim i mirënjohjes ndaj çlirimtarëve dhe paqëvënësve dhe një kërkesë e tepruar dhe e parakohshme ndaj tyre? A është dhuna një mjet marksist për refuzimin politik? Të gjitha këto dilema na bënin që, përkundër admirimit të diskursit të pakrahasueshëm politik, ta shihnim me dyshim Albin Kurtin. Shumë nga njerëzit që nuk e votonin thellë-thellë e donin Albin Kurtin. Ata shihnin tek ai një karakter të jashtëzakonshëm, një kafshë politike të pakrahasueshme me bagazh të admirueshëm filozofik, me etjen e pashterun për dije dhe një vullnet prej murgu për të luftuar të keqen. Ai është krejt e kundërta e politikanëve të tjerë të Kosovës. Ai e urren vesin suprem të të qenit i cekët.
Këto nuk mjaftuan asnjëherë për të. Por, sot, thënia e tij “e keni të vështirë ta kuptoni por do vijë dita”, duket më aktuale se kurrë. Vetëm shihni se si ka qenë numri i votuesve të LVV në vite për të kuptuar që kjo ditë është afër. Në vitin 2010 ishin 88,000 votues, në vitin 2014 ishin 99,000 votues e në vitin 2017 shkuan në 200 mijë votues! Rritja në dyfish brenda dy vjetëve është tregues se “dita po vjen”. Asgjë nuk mund ta ndalë trendin rritës të VV. Mirëpo ka një rrezik të madh e kjo vjen pikërisht prej karakterit të Albin Kurtit dhe të VV. Pikërisht vijat e kuqe të Vetëvendosjes! do të jenë vija të kuqe për shpresën e ndjekësve të saj. Që kjo të mos ndodhë Albini duhet të ndryshojë edhe pak gjëra. Stendali thotë diku “Mendimi im i djeshëm mund të kthehet në tiranin tim të sotshëm kur kokfortësia kthehet në qëllim”.
Shpresa e gjithë mbështetësve të Albin Kurtit për ta parë atë në qeverisje nuk mund të injorohet në emër të parimeve të papërkulshme. Albini e ka shumë të vështirë të gjejë sivëllain e vet në politikën kosovare por është i detyruar të bëjë lëshime. Vetëvendosja nuk ka akoma luksin të vendosë vija të kuqe të pandryshueshme. Do ishte në kundërshtim me aspiratën shumëvjeçare të mbështetësve të vet që mezi presin ditën e tyre të shpresës.
Konkretisht, Vetëvendosja ka vënë vija të kuqe ndaj çdo subjekti elektoral në Kosovë përvec LDK-së. Ajo sheh vetëm një partner të mundshëm në qeverisjen e ardhshme. Mirëpo, duke qenë kaq e ngurtë, duke vënë vija të kuqe koalicionit AAK-PSD (mendoj kryesisht prej këtyre të fundit) apo edhe Nisma-AKR, ajo e vë veten në pozita vasale ndaj humorit të konservatorëve të LDK-së, çka nuk është as logjike e as e domosdoshme. Vetvendosje duhet të konkurojë e vetme, kurrsesi në koalicion parazgjedhor me LDK-në. Thënë këtë, ajo duhet të deklarojë vija të kuqe (pamundësi koalicioni) vetëm me PDK-në. Një vendim i tillë i Vetvendosjes do të mundësonte një qëndrim bashkëpunues edhe me dy koalicionet e tjera, të lartpërmendura, por do të ulte edhe euforinë e pakuptueshme të LDK-së që nuk pranojnë asnjë kompromis. Dalja e vetme në zgjedhje e VV është tregues force dhe dinjiteti, është në staturën e Albin Kurtit të masë forcat reale.
Në tre zgjedhjet e fundit në Kosovë kanë votuar më pak se 800 mijë votues nga të cilët votues të partive shqiptare janë jo më shumë se 650 mijë vota. Pra bëhet fjalë për shumë pak votues dhe jam i sigurtë që trendi prej 200,000 votuesish i arritur në zgjedhjet e 2017-ës do të ruhet. Sigurisht, po të ishte edhe pjesa e PSD-së ky numër do të shkonte 250,000 por, edhe me ikjen e tyre, numri nuk zbret nën 200 mijë.
Dita po vjen Albin. Tani duhet të na provosh që e kishim gabim kur nuk të besonim!