Kanë kaluar më shumë se 12 orë, që kur Glauk Konjufca, deklaroi publikisht se nënkryetarja e Kuvendit, njëherësh deputete e PSD-së, Aida Dërguti, ka qenë në ShIK-un që është udhëhequr nga kryetari i tanishëm i PDK-së, Kadri Veseli, shkruan Gazeta Blic.
Konjufca, në Interaktiv të KTV-së, u shpreh se prej kryesisë së dikurshme të Lëvizjes Vetëvendosje, ka qenë e ditur se vetëm Aida Dërguti ka qenë pjesë e ShIK-ut.
“Prej të gjithëve në Kryesinë e VV’së, e kemi ditur se vetëm një anëtare ka qenë një kohë të shkurtër në SHIK”, ka deklaruar shefi i deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje.
“Ajo është Aida Dërguti, kolegia e Dardan Molliqajt”, shtoi ai. “Ajo vetë e ka pranuar, e më duket se e ka thënë edhe në media”.
Gazeta Blic, që nga mëngjesi ka provuar që të kontaktojë me deputeten Dërguti, por komunikimi me të ka qenë i pamundur.
Me këtë arsyetim, u shpreh edhe shefi i departamentit për media brenda PSD-së, Shkodran Hoti, i cili i tha Gazetës Blic, se as vetë ai nuk po mundet të bjerë në kontakt me deputeten Dërguti.
Gazeta Blic, ka tentuar vazhdimisht që të merr ndonjë deklarim nga ana e ndonjë zyrtari të Partisë së Shpend Ahmetit, sekretare e së cilës është vetë Aida Dërguti, e apostrofuar nga Glauk Konjufca, si ish punëtore e Shërbimit Informativ të Kosovës (ShIK).
Gazeta Blic, ka tentuar që të flasë edhe me deputetin e PSD-së, inicuesi i ‘debatit publik për ShIK-un’, Dardan Molliqaj, por që nuk ka arritur që të merr përgjigje.
Molliqaj ka kërkuar nga Gazeta që të komunikojnë nëpërmjet mesazheve, dhe në momentin kur i janë dërguar pyetjet, ai më nuk është përgjigjur.
“Më shkruaj”, ishte kërkesa e Molliqajt, pas disa thirrjeve të Gazetës Blic, gjersa në momentin kur gazetari ia tregon pyetjet dhe kërkesën për komunikim, ai nuk paraqitet më.
Debati për ShIK-un, ka filluar muaj më parë, gjersa tani ka marrë hovin më të madh.
Fillimisht ishte Dardan Molliqaj, që në seancën e 2 shkurtit të këtij viti, akuzoi publikisht në Kuvend, duke thënë që Glauk Konjufca, ka qenë pjesë e ShIK-ut.
“Glauku prin sdi sa e dini po Glauku u kanë në PDK në AAK tash është në VV, unë e ftojë Glauk Konjufcen qysh 1 vjet ditë ka qenë në ShIK këtë e kam marr vesh. Mirë është me kallxu ti edhe tjerët një ka një që jeni kanë në ShIK e po du me ta pa moralin edhe etikën”, pati thënë Molliqaj.
Këto akuza, në vazhdimësi janë kundërshtuar nga shefi i deputetëve të Vetëvendosjes, teksa kërkonte që Molliqaj, të shpalos fakte për një pretendim të tillë.
Madje, për këto akuza, Konjufca ka bërë padi në Gjykatën Themelore, ndaj Dardan Molliqajt.
E, në seancën e 12 prillit të këtij viti, Molliqaj, sërish foli në Kuvend, duke ripsëritur se “Glauk Konjufca ka punuar për Shërbimin Informativ të Kosovës, që është udhëhequr nga Kadri Veseli”.
Molliqaj, ka thënë se rekrutues i Konjufcës, ka qenë publicisti Fadil Lepaja, dhe sipas tij, Konjufca është paguar nga 150 marka në muaj – dhe se paga e ultë kishte qenë arsyeja e lënies së asaj pune.
Mirëpo, këto pretendime të Molliqajt, i hodhi poshtë menjëherë Lepaja.
Ai tha se këto akuza janë politike në mes të Konjufcës dhe Molliqajt, dhe se ai nuk ka qenë kurrë pjesë e SHIK’ut.
“Sapo mora vesh, për veten time, gjëra të cilat nuk i kam ditur! Pas interesimit të gazetarëve rreth (pa)vërtetësisë së deklaratave në Kuvendin e Kosovës,, dhe për të i kursyer nga lodhja gjithë të interesuarit, po e shfrytëzoj profilin tim, të deklarohem rreth kësaj “çështjeje”:
“Me përgjegjësi të plotë penale, dhe morale, deklaroj se kurrë në jetën time, nuk kam qenë pjesëtar as bahkëpunëtor, me vetije, e besoj as pa vetëdije, i Shërbimit Informativ të Kosovës. ”
“Më vjen keq që emri im qenka keqpërdorë në debate, në të cilat nuk kam interes dhe e kam nën dinjitet të përfshihem”, ka përfunduar Lepaja.
Këto akuza, i hodhi poshtë sërish Konjufca, i cili tha se nëse Molliqaj, nuk arrin që ta dëshmojë këtë që e thotë, atëherë sipas tij, duhet t’i kërkoj falje.
“Nëse Molliqaj, nuk arrin t’i argumentojë këto që po i thotë, atëherë sinqerisht duhet të më kërkoj falje”, ka thënë Konjufca.
Kurse, Molliqaj, ka deklaruar se në vazhdimësi do shpalos fakte që “Glauku ka qenë në ShIK”, duke shtuar se tanimë “atë (Glauku v.j.), nuk mund ta shpëtojë as Burdushi e as Kadrushi”./ Gazeta Blic