Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, përshëndeti mbështetjen e Bolivisë për Kudsin dhe vlerësoi pozitivisht pozicionin e vendit lidhur me Lartësirat e pushtuara të Golanit.
Komentet e presidentit Erdoğan erdhën në një konferencë të përbashkët shtypi me homologun e tij bolivian Juan Evo Morales Ayma në kompleksin presidencial në Ankara, raporton AA.
“Dua ta falënderoj Bolivinë për mbështetjen e saj për çështjen e Palestinës, veçanërisht për statusin e Kudsit dhe mbrojtjen e civilëve palestinezë”, tha Erdoğan, duke përshëndetur qasjen e vendit ndaj Lartësirave të Golanit.
Erdoğan tha se çështjet rajonale dhe globale janë diskutuar me homologun bolovian.
Muajin e kaluar, presidenti amerikan Donald Trump njohu Lartësirat e Golanit si territor izraelit, të cilin Izraeli pushtoi më 1967.
Hapi i qeverisë amerikane erdhi pasi Trump në fund të vitit 2017 e njohu Kudsin si kryeqytet të Izraelit dhe zhvendosi ambasadën e vendit të tij nga Tel Avivi në Kuds vitin e kaluar, duke shkaktuar reagime në opinionin botëror.
Ndryshe, Bolivia është vendi i tretë në botë që e ka shpallur Izraelin si një shtet terrorist pas Perusë dhe Shilit.
Raportet Turqi-Bolivi
Presidenti bolivian Juan Evo Morales, nga ana e tij, tha se pret avancimin e marrëdhënieve me Turqinë.
“Unë besoj se mund ta arrijmë këtë, sepse i ndajmë të njëjtat ide”, tha Morales.
Morales kritikoi qëndrimin e SHBA-së ndaj Venezuelës dhe tha se emërimi i presidentëve sot është sikurse emërimi i guvernatorëve gjatë epokës së kolonizimit.
“Nuk jemi të kënaqur me emërimin presidencial të SHBA në Venezuelë. Ne nuk e miratojmë këtë”, tha ai.
Duke përshëndetur qëndrimin e Turqisë ndaj krizës në Venezuelë, Morales deklaroi: “Unë e njoh mirë shtetin e Venezuelës, qeverinë dhe njerëzit e saj…Është një vend që mbron pavarësinë dhe sovranitetin e tij pavarësisht problemeve fiskale. Për këtë arsye ne i mbështesim ata”.
Ai u bëri thirrje popujve të vendeve të Amerikës Latine që të refuzojnë ndërhyrjen ushtarake pa marrë parasysh ideologjinë e saj.
Presidenti bolivian tha gjithashtu se vendi i tij synon bashkëpunimin me Turqinë në fushën e industrisë së mbrojtjes.
“Ne kemi nevojë për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes, sidomos për të luftuar trafikimin. Ne duam dhe kemi nevojë për transferim dhe blerje të teknologjisë”, tha Morales.