Është caktuar një muaj paraburgim për pesë shtetasit kosovarë E.L, K.L, E.M, G.J dhe A.L, për shkak të dyshimit të bazuar që të njëjtit kanë kryer veprat penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotropike dhe analoge”.
Sipas njoftimit, për të njëjtit ekziston dyshimi i bazuar që me datën 27.02.2019 rreth orës 16.00 pa autorizim e me qëllim shitje kanë transportuar nga Ferizaji për në Skenderaj sasinë prej 10 kilogramë e 835 gramë substancë narkotike të llojit marihuanë, e ku janë ndaluar nga policia, po ashtu në këtë rast në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore të Mitrovicës janë zbatuar masat e posaçme hetimore (blerja e simuluar e sendit).
Me këto veprime pesë të dyshuarit dyshohet se kanë kryer veprat penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotropike dhe analoge” nga neni 273 paragrafi 2 lidhur me nenin 281 paragrafi 1 nën paragrafi 1.1 dhe 1.9 të KPRK.
Gjyqtari i procedurës paraprake i Gjykatës Themelore në Mitrovicë, në seancën e mbajtur me datën 28 shkurt ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, dhe i ka caktuar të dyshuarve masën e paraburgimit prej një (1) muaji.